E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Kosovës urojnë besimtarët për Krishtlindje

PRISHTINE- Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi i kanë uruar festen e Krshtlindjeve kishës dhe besimtarëve katolikë në të gjithë vendin. Presidenti Sejdiu i ka dërguar mesazh urimi dhe Papa Benediktit të XVI-të. Në mesazh Sejdiu kërkon nga Ati i Shenjtë njohjen sa më parë të shtetit të Kosovës. Mesazhi i presidentit Sejdiu me rastin e festës së Krishtlindjeve Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, u ka shprehur urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve të Kosovës me rastin e festës së Krishtlindjeve.Në mesazhin e presidentit Sejdiu thuhet: "Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Krishtlindjes, e cila simbolizon ditën e lindjes dhe të forcimit të besimit në Zotin. Krishtlindja është dita e paqes në mes Zotit dhe njerëzve, si dhe në mes popujve të mbarë botës. Për herë të dytë, Republika e Kosovës po e kremton këtë festë si shtet sovran dhe i pavarur. Falë Zotit, falë punës sonë të përbashkët dhe përkrahjes së përhershme të miqve tanë ndërkombëtarë, edhe këtë vit Kosova po e përmbyll me të arritura të mëdha. Kosova vazhdon të njihet nga shtete të ndryshme demokratike të botës, me shpresë se ky proces do të vazhdojë me ritme edhe më të larta në vitin në vijim. Edhe në planin e brendshëm, kemi shënuar progres të dukshëm në shumë fusha, duke vënë bazat e shëndosha të institucioneve me rëndësi parësore për funksionimin e shtetit, siç janë Forca e Sigurisë e Kosovës, Agjencia e Sigurisë e Kosovës, Gjykata Kushtetuese etj. Pra, Kosova po përmbyll një vit të suksesshëm të formësimit të institucioneve të saja shtetërore. Në të njëjtën kohë, ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin, veçmas në fushë të sundimit të ligjit. Megjithatë, rezultatet e punës së përbashkët që po bëjnë institucionet tona të drejtësisë dhe ato të EULEX it, që janë këtu me ftesën tonë, janë inkurajuese. Duke ju shprehur urimet më të sinqerta me rastin e Krishtlindjes, lus Zotin që ju dhe familjet tuaja të keni gjithmonë paqe, shumë begati dhe harmoni. Gjithashtu, urimet më të përzemërta ju shpreh edhe komandantëve dhe ushtarëve të KFOR it/NATO s, që punojnë natë e ditë për sigurinë e Kosovës, diplomatëve dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët do ta kremtojnë këtë ditë të shënuar këtu në Kosovë. Urime të gjithëve! Për shumë mot!" Kryeministri Thaçi uron besimtarët katolikë për festën e Krishtlindjes Bota e krishterë përmes festës së Krishtlindjes përçon mesazhin e lindjes së besimit në idetë e kulturës dhe civilizimit perëndimor, në vlerat e humanizmit dhe mirësisë globale, thuhet në urimin e kreu të Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi drejtuar ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit dhe besimtarëve katolikë, me rastin e Krishtlindjes.Thaçi ka thënë se kjo festë kremtohet në Kosovë me dinjitet dhe respekt të lartë në të gjitha familjet e besimit katolik, duke i dhënë shkëlqim dhe solemnitet respektit të vazhdueshëm për njeri tjetrin .Sipas tij, Kosova këtë fund të vitit është duke e shënuar me te arritura të rëndësishme si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar .”E kam nderin dhe privilegjin e veçantë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ua uroj festen e madhe te Krishtlindjeve .Kjo festë kremtohet gjerësisht në shume vende të lira, të përparuara dhe me zhvillim të lartë kulturor, shkencor dhe demokratik”, tha thënë kryeministri Thaçi në urimin e tij, duke i përgëzuar edhe besimtarët ndërkombëtarë, të pranishëm në misione të ndryshme në Kosovë. Kryeparlamentari Krasniqi uron ipeshkvin Gjergji Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka uruar ipeshkvine Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit dhe besimtarët katolikë për festen e Krishtlindjeve. Në urimin e kryeparlamentarit Krasniqi thuhet se bashkë me Festen e Krishtlindjes dhe atë të Vitit të Ri, ne kemi arsye të kremtojmë dhe tu gëzohemi sukseseve të reja që ka arritur Kosova gjatë dymbëdhjetë muajve të shkuar. Të arriturat e Kosovës, sipas tij, janë rezultat i përpjekjeve të qytetareve të saj, të institucioneve demokratike dhe të miqve të shumtë që kanë vazhduar të na mbështesin pa kursim. ”Kam kënaqësinë t’ju uroj Juve dhe besimtarëve të krishterë të Kosovës që u prini, gëzuar për shumë mot Festen e Shenjtë të Krishtlindjes. Uroj që në Kosovë të mbretërojë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi e toleranca”, thuhet në urimin e Krasniqit, drejtuar ipeshkvit Gjergji.(rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›