E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Milanit, të tërbuar me interistët pas derbit

Rivaliteti

“Me kalimin e kohës gjithçka do të rregullohet, por askush prej nesh nuk do ta harrojë arrogancën e shfaqur nga Interi dhe festën e stolit zikaltër”. Zyrtarisht, këto fjalë askush nuk i ka thënë dhe asnjë gazetë nuk i ka shkruar, por ato janë publikuar nga “Corriere della Sera”, për të paraqitur gjendjen në ambientet e Milanit. Kuqezinjtë janë të tërbuar me kushërinjtë-rivalë të Interit, për episodet e regjistruara në derbi. Një drejtues i klubit, i cili preferoi të mbetej anonim denoncoi se “zemërimi në tribunën ‘VIP’ ishte mjaft i dukshëm”. Reagimet dhe festa për fitoren 2-0 e skuadrës së Zhoze Murinjos u cilësuan të ekzagjeruara, të pakonceptueshme dhe që i kalonin kufijtë. Kjo edhe për faktin se dy klubet kanë pasur marrëdhënie të mira, të paktën deri në momentin kur shpërtheu debati për ndryshimin e kalendarit, ku drejtuesit e Milanit kanë dhënë versionin e tyre të fakteve: “Përpara derbit kalendari ishte shumë i ngjeshur, shpjegoi Galiani. Spostimi i ndeshjes Fiorentina-Milan u shty në mënyrë të pavarur nga Liga, për të mos cenuar zhvillimin e ndeshjeve të Kupës së Italisë”. Zemërimi ka ardhur edhe për shkak të deklaratave për komplot nga presidenti zikaltër, Morati, administratori Paolilo dhe trajneri Murinjo: drejtuesit në klubin e rrugës “Turati” janë të bezdisur nga “politika” që po ndjek Interi. Kësaj radhe nuk është një përplasje, por një zënkë serioze, pasojat e të cilës mund të ndikojnë seriozisht në klimën e kampionatit në Serinë A, por edhe në Ligën e Futbollit. Një polemikë që rrezikon të jetë më e madhe se thjesht humbja në derbi, apo dyshimet e përhershme.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›