Skënderbeu nuk e ndal Besën, që merr 3 pikët e vonuara
Kategoria Superiore
Skuadra e Besës ka arritur të rrëmbejë pikët e plota në ndeshjen e prapambetur, e cila u luajt pasditen e djeshme në orën 13.00 në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës. Skuadra verdhezi, e drejtuar nga Shpëtim Duro, nuk e ka pasur të vështirë të mposhtë një skuadër jo mirë të organizuar dhe jo të mirë vendosur në fushë. Nga një gol për çdo pjesë kanë shënuar kavajasit. Në minutën e 34-t Dritan Babamusta u ka dhënë avantazhin miqve nga Kavaja. Pjesa e parë ka përfunduar me këtë rezultat. Pjesa e dytë është tablo e së parës. Miqtë janë më kërkues dhe godasin disa herë shtyllën e portierit Dejan Kosturanov. Duhet të vinte minuta e 72 që sulmuesi vlonjat, Daniel Xhafa, të shënonte golin e dytë dhe të sigurisë. Duhet thënë që e gjithë loja është administruar nga Besa dhe për asnjë moment nuk e vunë në dyshim fitoren. Kjo ishte humbja e dytë për trajnerin Andrea Marko në po kaq ndeshje. Skënderbeu tashmë është në fund të renditjes dhe vështirë të gjejë forca për t’u ringritur. Ujqërit e dëborës kanë humbur imunitetin ndaj të ftohtit dhe po zhyten gjithnjë edhe më thellë në zonën e rrezikut të rënies nga kategoria. Ndërkohë që Besa ka marrë tri pikë shumë të vlefshme, të cilat e afrojnë gjithnjë edhe më shumë me kryesuesen Dinamo, duke i mbajtur ende të gjalla shpresat për luftën për titull.
#