Krerët e "Omonias" sfidojnë Bollanon
Një mbledhje e këshillit të përgjithshëm të organizatës së minoritetit etnik grek "Omonia", pa kreun e saj Vasil Bollano, është zhvilluar dje në selinë e kësaj organizate në Sarandë. Kjo ishte e para mbledhje e forumit më të lartë, e mbajtur pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, në të cilën PBDNJ-ja dhe "Omonia", si bazamenti social i saj, rezultoi të jetë më pak e votuar edhe në fshatrat me popullsi minoritare. Gjithashtu, ishte e para e organizuar dhe që u drejtua nga krerët e pushuar të degëve të saj në Gjirokastër e Sarandë, përkatësisht Spiro Ksera dhe Kristaq Kali. Thoma Miço, sekretar i përgjithshëm i saj, shpjegon se mbledhja që prodhoi largimin e ministrit Ksera dhe të nënkryetarit të përgjithshëm Kristaq Kali nga funksionet e kryetarëve të degëve në dy qytetet kryesore, nuk ishte e këshillit të përgjithshëm, por e një grupimi njerëzish pa funksione rreth Bollanos e Dules, që marrin atribute që nuk u takojnë. Sa për mbledhjen e djeshme, Miço tha se vërtet mund të mos ishin të gjithë anëtarët e zgjedhur të KPD-së prezent, por u sigurua kuorumi i nevojshëm, 50 plus 1 dhe vendimet e marra kanë legjitimitet të plotë. Mungesën e kryetarit Vasil Bollano në të, Miço e ka quajtur të pritshme, pasi "ai është në panik nga pozicionimi i gabuar në krah të gabimeve të Dules ndaj minoritetit dhe në dëm të interesave të këtij komuniteti". Sipas tij, "ajo u shpreh edhe me votë më 28 qershor, duke e renditur PBDNJ-në si parti të tretë, nga e parë që ka qenë tradicionalisht në fshatrat tonë". Në mungesë të Bollanos, kjo mbledhje është drejtuar nga zëvendëskryetari i këshillit të përgjithshëm, Spiro Ksera, njëherësh edhe ministër i Punës, si edhe nga nënkryetari tjetër, Kristaq Kali. I pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Kosta Barka. Në përfundim, zëdhënësi i KPD-së, Mihal Naço, ka bërë publike një deklaratë me disa kërkesa. Mes tyre, më e rëndësishme është vlerësuar vendimi që "Omonia" të ndërpresë çdo marrëdhënie preferenciale me PBDNJ-në, për aq kohë sa Dule të reflektojë mbi shkeljet statutore dhe të vullnetit politik të "Omonias", që ka votuar ndryshe për aleancat para dhe paszgjedhore. Edhe me deklaratën e djeshme është përsëritur kërkesa që Dule të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi ai është i omonistëve e jo i tij. Mbledhja e djeshme ka vendosur të mos njohë asnjë vendim të marrë pas 1 korrikut 2009, pasi, sipas deklaratës, ato janë vendime personale dhe jo institucionale të KPD-së. Përmes deklaratës së djeshme, ky forum i ka kërkuar edhe Bollanos të largohet nga qëllimet e mbrapshta të Dules dhe ta lehtësojë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme në "Omonia", të cilat janë vendosur të mbahen më 19 dhjetor. Pas kësaj u tha se kryetari do të zgjidhet nga populli.
Th.Nika
Th.Nika