E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Lakrori vlerësojnë procesin zgjedhor në parti

Edi Rama votoi dje në njësinë nr.2 dhe Maqo Lakrori votoi në njësinë nr.9 në kryeqytet. Rama tha se procesi është real dhe i bukur. "Është një moment i bukur në jetën e një partie, e në këtë rast në jetën e PS që në fakt, në Shqipëri është e vetmja forcë politike e cila u jep mundësi të gjithë anëtarëve e anëtareve që të vendosin me votën e tyre për zgjedhjen e kryetarit të partisë. "Kjo përmes një procesi demokratik që është një proces, mendoj unë, të cilin pa asnjë farë dyshimi në të ardhmen do të duhet ta adaptojnë dhe forcat e tjera politike", u shpreh Rama. Më tej, ai theksoi se "është e pashmangshme që partitë politike në Shqipëri të demokratizohen dhe roli dhe fuqia e anëtarit të partisë të rritet duke filluar nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë për kryetarin e partisë". Rama tha se ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real e për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka pasur vështirësitë e veta. "Ashtu sikundër ka qenë një proces të cilin Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, kompania e tyre, altoparlantët e tyre kanë bërë çmos që ta përbaltin kanë bërë çmos që ta cenojnë", u shpreh Rama. Ai tha se "kanë bërë çmos që ta zhvlerësojnë, sepse është një proces i bukur, një proces real, një proces që tregon në fakt se PS është vërtet forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri", theksoi Rama. Pas fjalës së tij, kandidati Maqo Lakrori tha se "uroj që procesi të vazhdojë normalisht dhe në kohën e duhur do të bëjmë vlerësimin e këtij procesi". Ndonëse zgjedhjet në PS, janë cilësuar jo reale prej grupit që kundërshton linjën e Ramës në parti, dita e votimit ka ngjallur interes tek anëtarësia, e cila është drejtuar te kutitë e votimit.

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›