Krerët e Prizrenit, nën hetim për tjetërsim prone
Kryetarët e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe Njazi Kryeziu, janë duke u hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prizren nën dyshimin se kanë tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme pronën publike. I pari si kryetar komune dhe i dyti si kryesues i Kuvendit Komunal, pretendohet se janë përfshirë në koncesionimin e paligjshëm të këtyre pronave, duke u krijuar favore bizneseve private.
Kryeprokurori I Qarkut, Sylë Hoxha ka konfirmuar hetimet ndaj dy zyrtarëve të lartë komunalë. “Kemi autorizuar Njësinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës që të bëjë hetime paraprake të lëndës dhe në bazë të rezultateve të hetimeve do të vendoset nëse ato do të zgjerohen apo do të mbyllet rasti", ka thënë Hoxha.