E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e shoqërisë civile, letër Berishës: Qeveria po na diskriminon

Një numër i gjerë i shoqërisë civile i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që të takohet me ta për të vendosur heqjen e disa barrierave fiskale edhe ndaj OJF-ve. Një grup organizatash jofitimprurëse i kanë dërguar dje një letër Kryeministrit Berisha, të cilit i kërkojnë një takim lidhur me shqetësimin e tyre në disa ndryshime që i janë bërë kuadrit ligjor në sektorin e taksave. Letra e dërguar kreut të qeverisë, është e firmosur nga drejtuesit e 24 organizatave jofitimprurëse, të cilat i kujtojnë kreut të qeverisë se këto ndryshime në ligjin e tatimeve po ndikojnë seriozisht në mbarëvajtjen e punës së sektorit të shoqërisë civile në vend. Sipas drejtuesve të 24 organizatave, këto ndryshime të miratuara në ligj nga qeveria kanë vendosur një shenjë të qartë barazie ndërmjet sektorit jofitimprurës të shoqërisë civile në Shqipëri dhe sektorit të biznesit, duke e kualifikuar në mënyrë tërësisht të padrejtë sektorin e OJF si biznes të madh, për sa i përket trajtimit tatimor. Në letrën e drejtuar Kryeministrit nga OJF-të, thuhet se këtë trajtim të qeverisë, ata e shohin si një shenjë të mungesës së konsideratës ndaj misionit dhe rolit që shoqëria civile luan në Shqipëri. Por, theksojnë drejtuesit e OJF-ve, përveç kuadrit ligjor, ajo që ka sjellë një shqetësim akoma dhe më të madh, jo vetëm në sektorin jofitimprurës, por edhe komunitetin e donatorëve në Shqipëri, është praktika e zbatimit të tij. "Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë më datë 22.07.2008, një qarkore me numër prot. 9355 për të gjithë nëpunësit tatimorë, ku bën interpretimin e kuadrit ligjor tatimor që rregullon aktivitetin e sektorit jofitimprurës. Qarkorja krijon bindjen se grantet dhe sponsorizimet për OJF-të do të tatohen në masën 20%, gjë e cila është e pabazë dhe cenon qenësisht ekzistencën e të gjithë sektorit të shoqërisë civile në vend. Kjo dëshmohet edhe nga disa supervizime të kohëve të fundit të kryera nga ana e përfaqësuesve tatimorë në sektor", thuhet në letër. Më tej, shoqatat theksojnë se "është shqetësues fakti se të gjitha këto ndryshime të thella ligjore janë kryer pa asnjë njoftim paraprak, apo konsultim me sektorin në kundërshtim me frymën e transparencës dhe gjithpërfshirjes". Organizatat i kanë kujtuar Kryeministrit se bazuar edhe në standardet ndërkombëtare dhe të pjesës më të madhe të vendeve të BE-së, sektori jofitimprurës i shoqërisë civile nuk duhet t‘i nënshtrohet aplikimit të TVSH-së, për shkak të misionit dhe rolit që ai luan në një shoqëri demokratike. Gjithashtu, ata janë shprehur se duke marrë për bazë këtë shqetësim, më 7 nëntor 2008, këto organizata i janë drejtuar me një letër edhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku i kanë kërkuar një takim të hapur, por deri më sot nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete. Kuadri ligjor që rregullon trajtimin tatimor të sektorit jofitimprurës dhe marrëdhëniet raportuese të tij me shtetin kanë ndryshuar qenësisht, duke vendosur një shenjë të qartë barazie midis tij dhe biznesit. Mesa kuptohet, arsyet për këtë janë nevoja e shtetit për të mbushur arkën e vet me çdo formë dhe pa asnjë kriter, nevoja për të zvogëluar sa më shumë rrethin e opozitarëve dhe kuptimi i shtrembër, apo moskuptimi i plotë i rolit që ka sektori jofitimprurës në zhvillimin e demokracisë së një vendi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›