E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj, Biberaj e Meta në përurimin e Obamës

Klasa politike shqiptare nuk mbetet larg ceremonisë së përurimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Formacionet e ndryshme politike kanë dërguar përfaqësues të lartë që do të jenë të pranishëm në këtë eveniment. Partia Socialiste ka të dërguarën e saj në ceremoni kryetaren e grupit parlamentar Valentina Leskaj. Në cilësinë e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jetë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Së bashku me të janë paralajmëruar të pranishëm edhe deputetë të tjerë evropianë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Zyra e shtypit të Lëvizjes Socialiste për Integrim njoftoi se kreu i kësaj partie, Ilir Meta, është nisur gjithashtu drejt Uashingtonit, ku është ftuar të jetë i pranishëm në Ceremoninë e Betimit të Presidentit të 44-t Barak Obama. "Kryetari i LSI, z. Ilir Meta, do të marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila zhvillohet më datën 20 janar në Uashington, ku të ftuar do të jenë edhe shumë personalitete, politikanë, kryetarë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të ndryshëm të rëndësishëm, nga e gjithë bota", thuhet në njoftim. Më 27, 28 dhe 29 gusht të vitit të shkuar, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori pjesë gjithashtu në Denver të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty zhvillohej Kongresi i Partisë Demokratike Amerikane, forum që mandatoi Barak Obamën si kandidat zyrtar për zgjedhjet presidenciale. Presidenti Barak Obama në ceremoni pritet të thotë fjalët: "Betohem solemnisht se do të përmbush me besnikëri detyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të bëj më të mirën brenda aftësive të mia, për të ruajtur dhe për të mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Obama ka kërkuar që në këtë betim të shtojë edhe fjalët "Zoti më ndihmoftë", të cilat nuk parashikohen detyrimisht në betimin zyrtar. Barak Obama, baba i dy fëmijëve, është i pari President afro-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai fitoi në zgjedhjet e fundit presidenciale, së bashku me kandidatin për zëvendëspresident Joe Biden, kundër kandidatit republikan Xhon MekKein, pas një procesi të gjatë konkurrimi paraprak me senatoren Hillari Klinton. Ajo ka pranuar ofertën e Obamës për të qenë sekretarja e re e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›