Presidenti dekreton Laukën ambasador
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje Islam Laukën, si ambasador të Shqipërisë në Kosovë. Emri i diplomatit Lauka ka shkuar në zyrën e Presidentit një javë më parë nga Kryeministri i vendit Berisha, ndërsa para tri ditësh, Komisioni i Jashtëm me të drejtën që i jep Kushtetuta ka marrë në shqyrtim emrin e Laukës, duke e kaluar me konsensus të plotë. Pas miratimit nga Komisioni i Jashtëm, kreu i shtetit nuk ka humbur shumë kohë, duke hedhur firmën e tij, e cila mbyll ciklin dhe i ka hapur rrugën diplomatit Lauka të nisë zyrtarisht punën si ambasador në shtetin më të ri, në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kreu i shtetit, në një moment kur Shqipëria nuk kishte një ambasador atje, deklaroi se do ta dekretonte propozimin, menjëherë sapo ai të mbërrinte në Presidencë. Emri i Islam Laukës vjen nga fusha e diplomacisë dhe këtë e përcakton edhe CV-ja e tij. Ai ka gjashtë kualifikime, si doktor i shkencave politike, grada personale diplomatike "Këshilltar", kurs diplomacie, kurs filozofie dhe pjesëmarrës në shumë konferenca. Ai mban edhe detyrën e drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, por krahas kësaj detyre, ai është edhe president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike. Për katër vite, 1991-1995, Islam Lauka ka qenë i emëruar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë me gradën e sekretarit të parë, si dhe me pozicionin e të ngarkuarit me punë. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për rusisht.