Nano dje në seancë, "shpëton" mandatin e deputetit
Pas një mungese gjashtëmujore, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, ka zgjedhur pikërisht çeljen e sesionit të ri parlamentar, për të bërë ndoshta "xhiron" e fundit nga salla e Parlamentit, para se ta mbyllë këtë mandat deputeti. Rreth orës 17.30 minuta, ish-kryeministri Nano, i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, por edhe nga deputetët e grupit të qendrës së djathtë, është parë të hyjë në sallën e Kuvendit. Para se të ulej në vendin e tij në fillim të rreshtit të grupit të PS-së, ish-kryetari Nano ka përshëndetur pothuajse të gjithë deputetët e opozitës, duke iu dhënë dorën, por ky gjest nuk është bërë me nënkryetarin e grupit Erjon Braçe, pasi shtrëngimi i duarve me të është anashkaluar. Më pas, Nano është ulur në vendin e tij, duke pritur fillimin e seancës së parë parlamentare për këtë sesion nga nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka. Ish-kryetari i PS-së dhe ish-kryeministri Fatos Nano, deputet i zgjedhur në zonën e Sarandës, është deputeti i cili ka numrin më të madh të mungesave në sallën e Kuvendit. Nano vjen çdo gjashtë muaj në seancë, duke mos rrezikuar kështu mangësinë e djegies së mandatit të tij. Sepse, rregullorja e Kuvendit e përcakton mjaft qartë, nëse një deputet mungon më shumë se gjashtë muaj pa arsye në sallën e Kuvendit, ditën që kalon ky afat mandati i tij digjet. Por, deputeti Nano deri më tani nuk e ka rrezikuar një gjë të tillë, pasi gjithmonë në limitet e fundit të afatit gjashtëmujor ai është paraqitur për pesë, ose dhjetë minuta në sallën e Kuvendit. Pjesëmarrja e djeshme në seancën parlamentare i krijon mundësinë atij që ta mbajë edhe për gjashtë muaj mandatin e deputetit.