Krerët e shtetit i bashkohen urimeve për festën e Kurban Bajramit
Besimtarët myslimanë kremtuan dje “Kurban Bajramin” – ditën e sakrificës dhe dashurisë së njeriut për njeriun
Besimtarët myslimanë festuan dje “Kurban Bajramin”, ose ditën e sakrificës së njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Kremtimi i kësaj filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falën namazin. Besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit u mblodhën në orët e para të mëngjesit në Bulevardin, “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku kryen faljen tradicionale. Të pranishëm në këtë lutje kanë qenë drejtues të xhamive të vendit, kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ku së bashku me besimtarët kanë kryer rritin e faljes dhe kanë uruar për një festë të mbarë. “Kurban Bajrami” përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë filloi dje në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falën namazin. Kryetari i Komuniteti Mysliman, Haxhi Selim Muça uroi të gjithë besimtarët shqiptarë, kudo që ndodhen, për festën e Kurban Bajramit. “Të nderuar besimtarë shqiptarë! Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, e cila përkon sivjet edhe me 100 vjetorin e shtetit shqiptar”, nis mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman, ndërsa thekson se festa është dita kur duhet të manifestohet sakrifica dhe devotshmëria ndaj Zotit. “Kjo festë na nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe. Bajrami në Islam është qetësi dhe dinjitet, ku myslimanët falënderojnë dhe madhërojnë Zotin që është Një dhe i Gjithëfuqishëm. Ai na jep çdo të mirë, e në shenjë mirënjohjeje falim namazin dhe presim kurbanin. Ditët e Bajramit janë ditët e lumturisë së përbashkët me vëllezërit e tjerë, janë ditët e lulëzimit të ndjenjave të vëllazërisë, paqes e shëndetit, janë ditët e gëzimit të përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit në botë. Le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festës që të festojë e të gëzojnë të gjithë. Sepse qëllimi shoqëror i Kurban Bajramit është që kjo festë të mbërrijë në dyert e çdo shtëpie”, vijon mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman. “Së fundi i lutem Zotit që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve paqe, kënaqësi, gëzim dhe harmoni. Le të sjellë kjo festë më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit. Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë!”, përfundon mesazhi i tij.