E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krerët e shtetit shpenzojnë paratë e popullit në udhëtime private”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzon krerët e shtetit shqiptar se kanë braktisur vendin ndërkohë që bëjnë udhëtime me paratë e taksapaguesve. “Që nga dje pasdite, vendi është pa President, pa Kryetar Kuvendi, natyrisht pa Kryeministër, ose më mirë i ka, por në garë për udhëtime jashtë shtetit. Herë pas here, kësaj gare i shtohet edhe Kryeministri. Nuk di se për çfarë arsye të rëndësishme Presidenti ndodhej në Maltë apo Kryetarja e Kuvendit në një udhëtim familjar malli në Strasburg”, - tha ai. Sipas Braçes, vetëm biletat e udhëtimit familjar të tyre, vlejnë sa 120 pensione minimale në qytet dhe 240 në fshat. Deputeti socialist kujtoi se jashtë shtetit janë dhe ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtëm si dhe ai i Financave. Braçe pohoi më tej se largimi i kryeparlamentares ka lënë pa punë Kuvendin, i cili nuk zhvilloi seancën e parashikuar për dje, ndërkohë që po vazhdon të zvarritet dhe hetimi për Gërdecin. “Kryetarja e Kuvendit, natyrisht, si gjithnjë po bën shërbesën e denjë të Sali Berishës të vënë kësaj radhe nën akuzë”, - tha ai. Braçe, në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, kërkoi që krerët e shtetit, së bashku me ministrat e tyre, të ndalojnë udhëtimet familjare dhe të kthehen menjëherë në punë si dhe të mos pengojnë institucionet e drejtësisë, veçanërisht ato që po hetojnë krimin e tmerrshëm shtetëror në Gërdec, të kryejnë detyrën. Menjëhërë pas Braçes reagon PD, e cila nëpërmjet zëdhënësit të saj pohon se Berisha nuk është larguar nga vendi që nga data 5 maj, në të cilën ai ndodhej në Bruksel, ndërsa kryetarja e Parlamentit është nisur për në Strazburg në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Këshillit të Evropës.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›