E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portieri Hoxha çmend skauterit gjermanë

Autori i Lajmit: red.
Portieri i Shqipërisë U-19, Sulejman Hoxha, i cili gjatë këtij sezoni mbrojti portën e Erzenit, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në përballjen me Gjermaninë, me të cilën përfaqësuesja jonë humbi 2-0 në Sllovaki, duke fituar edhe admirimin e skautërve të disa klubeve gjermane të pranishëm në stadium. MUR BETONI - Trajneri Ramadan Shehu ndërtoi një mur “betoni” në mbrojtjen shqiptare, me synimin për të shmangur një goleadë të mundshme. “Për mendimin tim, treguam shumë respekt për Gjermaninë, duke u treguar edhe pa dashje inferiorë, ndërkohë me atë që shfaqëm në pjesë të caktuara, mund ta kishim rrezikuar jo pak”, - tha për “Albania-Sport.com”, menaxheri i FIFA-s, Rudi Vata, i cili ndoqi nga afër takimin. “Gjermanët luajtën shumë komod ndaj nesh dhe pa shumë impenjim në pjesën e dytë. E lejuam të luante lirshëm për 90 minuta. M’u kujtuan vitet e mia në futbollin e viteve 1990, kur gjithmonë niseshim si inferiorë përballë kundërshtarëve më emër të madh”. HOXHA - Në minutën e 38-të, portieri Hoxha priti edhe penalltinë e Diekmajerit, autorit të golit të dytë duke i befasuar jo pak të pranishmit me reflekset që tregoi. “Ishte një lojtar me personalitet dhe më i miri nga grupi i lojtarëve shqiptarë. Po të mos kishte qenë ai në një ditë shumë të mirë, Shqipëria mund të kishte pësuar edhe pesë gola. Tregoi profesionalizëm”, - tha për “Albania-Sport.com”, menaxheri i FIFA-s, Rudi Vata, i cili ndoqi nga afër takimin. Të pranishëm në stadium ishin edhe disa skauterë të ekipeve gjermane, të cilët e duartrokitën lojën e shqiptarit. “Në tribunën kryesore ishin disa zbulues talentesh nga Bajer Leverkuzeni, Eintrahti i Frankfurit, Hamburgut, Hansa Rostokut, të cilët e pëlqyen pa masë Hoxhën. Në fakt, e meritonte pasi ishte lideri i skuadrës, me të vërtetë e meritonte shiritin e kapitenit. Shumë i qetë dhe për 90 minuta thuajse nuk bëri asnjë gabim me peshë. Edhe në pësimin e golit të dytë të realizuar nga gjermanët (Diekmajer,nga 25 metra) nuk pati faj, pasi topi u devijua nga një mbrojtës”.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›