Krerët e shtetit vlerësojnë lartë UP’në

Me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP), krerët më të lartë të shtetit të Kosovës dhe institucioneve arsimore kanë vlerësuar se UP ka dhënë kontribut të madh si në arsimim e shkencë, ashtu edhe në arritjen e lirisë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Shënimi i jubileut të UP-së është bërë të hënën në ambientet e Fakultetit të Filologjisë, me ç’rast për këtë datë të rëndësishme kanë marrë pjesë krerët më të lartë të vendit, drejtues të institucioneve arsimore e akademike, studentë, por edhe shumë personalitete nga misionet ndërkombëtare dhe kori diplomatik në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu vlerësoi se gjatë këtyre 40 viteve Universiteti i Prishtinës dha kontribut të qenësishëm në fushën e arsimit, të shkencës dhe arteve, shtylla këto sipas tij të ngritjes së identitetit modern të shtetit të Republikës së Kosovës.
“Fati i zhvillimit të vendit tonë ishte i lidhur me punën dhe shtrirjen e Universitetit, sepse ai ndërtoi strategjinë teorike dhe praktike për dije dhe liri. Dija i dha jetë lirisë dhe të dyja bashkë u vunë në shërbim të të mirës për të gjithë.
Ajo krijoi bazën për zhvillimin e shtetit dhe në këtë mënyrë e forcoi perspektivën tonë”, ka thënë Sejdiu.
Sipas tij, Universiteti i Prishtinës e ngriti vetëdijen për njeriun e arsimuar si një faktor themelor të krijimit të një shoqërie të lirë, humane dhe demokratike.
Më tutje, presidenti Sejdiu tha se duke promovuar konceptin bashkëkohor të reformimit dhe menaxhimit, universiteti është bërë korespondues me vlerat konkurruese në tregun e dijes, jo vetëm në shkallë nacionale, por edhe universale.
Një fjalë rasti për ditën e Universitetit ka mbajtur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili rrjedhat dhe zhvillimet e kaluara kane bërë që historia e Universitetit të Prishtinës të jetë e pa ndashme me historinë e Kosovës.
“Historia e veprimtarisë e universitetit tonë nuk është e gjatë të krahasohet me universitet tjera evropiane, sepse paradoksalisht ai u themelua vonë, por rrallë mund të gjendet shembujt të vështirësive për të cilat ka kaluar ai gjatë jetës së tij. Vet lindja me aq dhimbje dhe vonesë e universitetit ishte shprehje e politikës së regjimit të egër pushtues, i cili objektiv historik kishte më shumë se mbajtjen opskurantizëm mesjetar të popullit tonë arsimdashës”, tha Krasniqi.
Në emër të Qeverisë së Kosovës zëvendësministri Hajredin Kuçi tha se historia e përbashkët e UP-së me atë të Kosovës dhe mbijetesa e tij nëpër shumë sfida, do të jenë motivacion që në të ardhmen UP të jetë një universitet i dijës që është konkurrent me vendet e zhvilluara.
Edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj tha se gjatë këtyre 40 viteve të veprimtarisë së Universitetit të Prishtinës duhet të flitet shumë, sepse e gjithë ajo e kaluar është e lidhur tani me ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Çfarë ka qenë Universiteti i Prishtinës në të kaluarën? Përgjigja më e mirë do të ishte kjo, se Universiteti i Prishtinës ka qenë biografia e një ideje dhe kjo ide ka qenë ideja e shtetit të Kosovës”, është shprehur Hoxhaj.
Ndërkaq, duke folur për historikun, sfidat dhe të arriturat e Universitetit të Prishtinës, rektori i këtij institucioni Mujë Rugova tha se UP sikurse e ka filluar me sukses reformën, ashtu me sukses e ka kaluar edhe procesin e akreditimit dhe po i vazhdon proceset e tjera zhvillimore.
“E ardhmja e Universitetit të Prishtinës është arritja e standardeve më të përparuara ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë, të cilat ndërlidhen edhe me Deklaratën e Bolonjës. Prandaj, Universiteti i Prishtinës vazhdon rrugëtimin e tij drejt edukimit, dijës dhe shkencës, duke u zhvilluar sipas traditave më të avancuara të universiteteve më të njohura evropiane e më gjerë. Gjithsesi në këtë drejtim ky institucion më i lartë publik i arsimit ka shënuar rezultate të rëndësishme”, theksoi Rugova.
Më tutje, rektori Rugova vlerësoi se UP për 40 vjet të funksionimit të tij ishte sa vatër e dijes, aq edhe zhvillimit dhe progresit të kombit shqiptar, andaj edhe mund të cilësohet si vlerë kombëtare. /kosovapress/