Të ndalet kthimi i detyruar në Kosovë

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg u bëri thirrje vendeve evropiane që të ndalin kthimin e detyrueshëm të refugjatëve në Kosovë, për të cilën tha se nuk ka infrastrukturën e nevojshme për t’u marrë me ta.
Hammarberg gjithashtu bëri thirrje për mbylljen e dy kampeve të refugjatëve të kontaminuara me plumb.
Disa ditë pas vizitës në Kosovë, Hammarberg shprehu shqetësime se disa qeveri evropiane ende po i detyrojnë refugjatët që të kthehen në Kosovë.
“I ftoj shtetet evropiane që t’i ndalin kthimet e detyrueshme deri sa Kosova të ofrojë kushte të duhura për jetë, kujdes shëndetësor, shkollim, shërbime sociale dhe punësim”, tha Hammarberg.
“Një numër refugjatësh kanë jetuar në vendet mikpritëse për vite me radhë, fëmijët e tyre kanë lindur atje, e flasin gjuhën rrjedhshëm dhe nuk kanë lidhje me Kosovën”, ka thënë Hammarberg. /rel/