Rrjeta e gjelbër kap 88 klandestinë dhe dy trafikantë
Kakavije
Goditja në dy aksione të veçanta, për të frenuar fluksin e shtuar të emigrantëve që në mungese të dokumenteve kalojnë përmes maleve drejt Greqisë
Bledar Shehu
Kakavije - Gjatë një operacioni të përbashkët policor, efektivat e policisë kufitare të Gjirokastrës dhe Janinës kanë bllokuar në vijën e gjelbër të kufirit një numër të konsiderueshëm emigrantësh klandestinë si dhe kanë ndaluar disa persona të dyshuar se ndihmonin trafikun ilegal të emigrantëve me destinacion Greqinë. Përgjatë dy ditëve, prej datës 12 shkurt deri në 14 shkurt 2010 të dyja policitë kufitare shqiptare dhe greke kanë ndërmarrë operacionin e përbashkët antitrafik të koduar “Rrjeta e gjelbër”. Ky operacionin shënon edhe bashkëpunimin e parë mes policive kufitare të Gjirokastrës dhe Janinës për vitin 2010.
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, qëllimi i këtij operacioni ishte parandalimi i kalimit të paligjshëm të kufirit si dhe për goditjen e të gjitha rasteve të trafiqeve që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. Fillimisht strukturat drejtuese të Policisë Kufitare të Gjirokastrës dhe homologët e tyre në anën tjetër të kufirit kanë zhvilluar një takim të përbashkët. “Përgjatë tij është bërë ndarja e zonave të patrullimit sipas piramidave,me qëllim mbulimin e të gjithë territorit jeshil me forca të policisë të të dy palëve”, thonë burime të pranishme në këtë takim.
Gjatë zbatimit të planit operacional në terren nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 58 persona të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. “Gjatë kësaj kohe është bllokuar pranë vijës kufitare edhe një femër e cila dyshohet se është viktimë e trafikut ndërkohë që strukturat e specializuara të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, thonë burimet policore.
Nga ana tjetër e kufirit gjatë “Rrjetës së gjelbër” policia greke ka bllokuar dhe kthyer mbrapsht 30 persona në tentativë për të hyrë ilegalisht në Greqi. Në kuadër të këtij operacioni në zonën kufitare janë ndaluar dy shtetas të dyshuar se kanë konsumuar veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas burimeve në Policinë Kufitare të Gjirokastrës, bashkëpunimi i tyre me homologët grekë të policisë kufitare do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme me qëllim goditjen e rrjeteve të trafiqeve të paligjshme në kufirin shqiptaro-grek.
Laç
Tenton të vjedhë furgonin, prangoset
Laç - Ka tentuar të vjedh automjetin që pronari e kish parkuar në afërsi të banesës së tij, por nuk ka mundur të largohet. Policia e Qarkut Lezhë bënë të ditur se ka arrestuar sot, Martin Dedajn, për vjedhje të mbetur në tentativë. Sipas policisë, arrestimi i Dedaj u bë pasi ky shtetas një ditë më parë, “ka tentuar të vjedhë automjetin furgon tip “Benz”, me targë LA 7515 A, në pronësi të shtetasit A.Sh”. Sipas policisë automjeti ishte parkuar në afërsi të banesës dhe kjo ka bërë që Dedaj të mos e realizoi deri në fund veprën penale.
Policia bënë të ditur se janë kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Vjedhjes së mbetur në tentative”.