E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krespo: “Synojmë vendin e parë në grup”

Interi pret sot në "San Siro" kampionen e Holandës, PSV Eindhoven, në ditën e dytë të vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Zikaltërit pësuan një humbje dramatike në Stamboll me Fenerbahcen, por përballë skuadrës së udhëhequr nga Ronald Koeman, djemtë e Roberto Mancinit do të kërkojnë më ngulm fitoren e parë dhe tri pikët e para.
FRIKA - Por, nëse në kampionatin italian, fitorja madhështore ndaj Romës (1-4) dha sinjalin më të mirë se zikaltërit janë sërish favoritët kryesore për fitimin e titullit, në Europë ata duhet të harrojnë dicka thelbësore, që ka të bëjë me mentalitetin: frikën. Atë që shkaktoi edhe humbjen në Stamboll këtë sezon. Zikaltërit duhet të harrojnë edhe Romën, pasi në Europë, futbolli është tjetër gjë. Interi ka nevojë për fitoren e parë për të dalë nga situata e komplikuar në klasifikimin e Grupit G, kur PSV dhe Fenerbahce, janë përpara tij në kuotën 3. Pikërisht për këtë arsye, Interi në versionin europian duhet të fitojë në mënyrë absolute më holandezët.
KRESPO – Sulmuesi i Interit është i bindur se skuadra e tij është përmirësuar shumë qysh nga disfata me Fenerbahcen. Fitorja 4-1 me Romën i ka rigjeneruar zikaltërit: "Ne jemi ekstremisht të bindur se jemi të fortë", - tha sulmuesi argjentinas, Hernan Krespo. "Por, e dimë nga ana tjetër, se këtë duhet ta provojmë në fushë. Ne luajtëm shumë mirë kundër Romës, dhe këtë duhet ta përsërisim edhe kundër PSV-së. Ne dëshirojmë të kualifikohemi si të parët në grupin tonë dhe ne kemi nevojë të luajmë mirë të martën".
INTERI - Llogaritë për teknikun zikaltër janë të vështira: Kordoba, Kruz, Maikon dhe Burdiso janë ende të skualifikuar; Adriano e Sezare nuk janë në listë, Materaci, Vieira dhe Dakurt janë të dëmtuar; i rikuperuar është Civu, ndërkohë që Ibrahimovic duhet të shtrëngojë dhëmbët pas goditjes së pësuar në këmbën e majtë, cka e detyroi edhe të largohej para kohë nga ndeshja me Romën të shtunën e kaluar. Suedezi pritet të bëjë dushen sulmuese së bashku me Krespon, gjithmonë deciziv.
KUNDËRSHTARËT – PSV ka humbur lidershpin në Eredivisie (kampionati holandez) gjatë fundjavës kur barazoi jo pa vuajtje në fushën e Nak Bredas, por bardhekuqtë mbërrijnë në "San Siro" me besim, të ndërgjegjshëm se nuk kanë asgjë për të humbur dhe më dyshimin e vetëm të qendërmbrojtësit portugez Da Kosta (probleme me gjurin). Në bankinën holandeze është një "Rambo", Koeman, një nga ata që është mësuar të bëjë shakara të tmerrshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›