Sfida intriguese, Shtutgardi gati për Barçën

E marta ofron një numër të konsiderueshëm ndeshjesh tërheqëse, ku më "eksitueset" janë ato midis Mancesterit dhe Romës, Interit dhe PSV Eindoheven, por dhe Shtutgardit dhe Barcelonës. Shtutgardi do të luftojë fort për të mos e humbur shansin e të luajturit në shtëpi për të bërë pikë me Barcelonën, takim që do të luhet sot në "Gotlieb-Daimler Stadion". Kampioni i Gjermanisë, që humbi ndeshjen e parë në Skoci, do të ketë përballë një Barcelonë që e ka lënë tashmë pas atë start të varfër në kampionatin spanjoll, dhe fitoi në mënyrë spektakolare me Lionin (3-0). Gjigandët spanjollë të Frenk Rajkard janë khtyer në një makinë golash dhe këtë e dëshmojnë golat e shumtë të shënuar: 14 gola në katër ndeshjet e fundit, flasin shumë, aq më tepër, kur këto i kanë realizuar në mungesë të Ronaldinjos dhe Eto'o. Shtutgardi, që po vuan jo pak në Bundesligë, i duhet një formë e jashtëzakonshme për të marrë pikët e plota. Në stadiumin francez "Gerland", Lioni vendas mezi pret të marrë fitoren e parë, pas humbjes së thellë me Barcelonë në "Kamp Nou". Gjashtë herë kampionët e Francës do të përballen me Rejnxhërsin. Të dyja ekipet e Grupit E janë liderë të kampionateve të vendeve të tyre, por në javën e parë të Ligës së Kampioneve arritën rezultate të ndryshme. Lioni ka nevojë për një fitore kundër formacionit skocez për të mbajtur gjallë shpresat për një nga dy vendet e para të grupit.