E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kreu i Bashkisë përdor buxhetin për të mbuluar pazaret me Berishën”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i PS 91, Petro Koçi, akuzon kryesocialistin Edi Rama se po përdor buxhetin e Tiranës për të mbuluar pazaret e tij me Berisha mbi Kushtetutën, Gërdecin, Kodin Zgjedhor apo Reformën mbi Prokurorinë. “Propozimeve për ndryshime në projektbuxhet, Rama iu përgjigj me një gjuhë provokuese dyjavore të 2 zëdhënësve mistrecë të tij kundër socialistëve të LSI-së. Dukej qartë se interesi politik i Ramës ishte vota kundër e LSI-së në Këshill, prandaj mbylli me dhunë çdo hapësirë për ndryshime dhe mirëkuptim”, - tha Koçi. Ai theksoi se Ramës i duhej me çdo kusht që votën kundër të LSI ta shiste si bashkim të saj me PD-në. Sipas Koçit, Rama harron se vota e opozitës kundër buxhetit “Berisha” në Kuvend, nuk ishte as antiqytetare, as shprehje e interesave personale dhe as bashkim i votuesve kundër me Ramën. “PS 91 votoi kundër buxhetit ”Berisha” pa bërë ndonjë bashkim me teknologjinë Berisha të PS -së. Sidoqoftë, PS 91 kërkon që Rama ta lërë mënjanë teatrin dhe të ulet si një njeri i rritur tashmë, me grupet e këshilltarëve që buxheti të kalojë me ndryshimet e nevojshme, dhe pa blerë votat e aleatëve të Berishës”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›