E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana fundos Shkumbinin, me Muzakën dhe Lilën

Autori i Lajmit: red.
Skuadra e Tiranës ka fituar me rezultatin 2-0 takimin në “Selman Stermasi” ndaj Shkumbinit, pasi dominuan gjithë ndeshjen ndaj peqinasve dhe si pasojë, morën tri pikët e radhës. Skuadra kryeqytetase shënoi që në minutën e 27-të me anë të mbrojtësit Andi Lila. Në pjesën e dytë, Tirana e dyfishoi rezultatin me anë të mesfushorit të majtë Ansi Agolli, i cili në minutën e 71-të, e shfrytëzoi mjaft mirë një pakujdesi të mbrojtjes peqinase. I shënuar nën vëzhgimin e trajnerit të kombëtares, Ari Han, duket se i ka siguruar një vend Agollit në ndeshjen që do të zhvillohet më 11 shkurt me Maltën.
Me nga një gol në çdo pjesë loje, të dy lojtarëve të Kombëtares shqiptare – Lila në të parën dhe Agolli në të dytën - Tirana fitoi lehtësisht 2-0 ndaj Shkumbinit në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të kampionatit maksimal shqiptar, Kategoria Superiore. Tri pikë të tjera në vitin 2009, që i mbajnë 23-herë kampionët e Shqipërisë vetëm një pikë larg Vllaznisë kryesuese, dhe e bëjnë atë rivalen më të afërt të shkodranëve që synojnë titullin e 10-të kombëtar. Përveç dhjetë minutave të para, ku u pa një dominim territori nga ana e Shkumbinit (fitoi 3 goditje nga këndi), pjesa “madhe” e lojës foli në ngjyrat “bardheblu”. Kronika e rasteve është e pasur për Tiranën. Abraham dha një pas të artë për Migen Memellin, i cili goditi me mjeshtëri në minutën e 10-të, por sfera u bllokua nga shtylla pingule e majtë e portës peqinase, duke shpëtuar portierin Ervin Llani nga goli i sigurt. Në minutën e 20-të Muzaka harkoi nga e djathta e sulmit dhe aty Migen Memelli goditi fuqishëm me kokë, por topi përfundoi paksa ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Muzaka ndërmori një vertikalizim të shpejtë nga e majta krosoi milimetrikisht në qendër të zonës peqinase dhe gjiganti Andi Lila, i ardhur nga thellësia, e goditi bukur me kokë, duke kaluar në avantazh në minutën e 27-të Tiranën. Goli i katërt sezonal i mbrojtësit të Kombëtares, i cili ka fituar edhe duartrokitjet e trajnerit Ari Han, i pranishëm në tribunën “VIP” të stadiumit “Selman Stërmasi”. Në minutën e 37-të, Shkumbini pati një rast me Fejzo Shenaj, por topi i goditur me kokë nga lojtari peqinas brenda zonës së vogël nuk ishte i rrezikshëm për portierin veteran Blendi Nallbani. Në pjesën e dytë, trajneri i Tiranës, Agustin Kola, hodhi në fushë mesfushorin Saimir Patushi në vend të mbrojtësit Tefik Osmani, të dëmtuar në pjesën e parë. Nga ana e tij, trajneri i Shkumbinit hodhi në fushë Erjon Rizvanollin në vend të Roland Dervishit. Në minutën e 53-të, portieri Llani bëri mrekullinë, duke grushtuar topin e goditur me kokë nga Daniel Xhafa. Ansi Agolli tregoi klasin e tij si një goditës mjeshtëror i gjuajtjeve të lira, kur shënoi në minutën e 72-të nga një distancë prej 18 metrash. Memelli bëri sikur goditi, muri i Shkumbinit u shpërbë dhe Agolli me një gjuajtje cinike shënoi golin e dytë, që qetësoi edhe trajnerin Agustin Kola. Për Agollin ky ishte goli i tij i dytë sezonal. Minutat e fundit ofruan disa raste të tjera për Tiranën, kur Daniel Xhafaj, pasi mori një asist perfekt nga Migen Memelli në minutën e 90-të, nuk arriti të shënojë golin e tretë për klubin me më shumë trofe në Shqipëri.

Superliga-Java e 19-të

04.02.2009
Apolonia-Bylis 1-0
Lushnja-Elbasani 1-0
Vllaznia-Besa 4-1
Partizani-Dinamo 1-0
Flamurtari-Teuta 1-1
05.02.2009
Tirana-Shkumbini 2-0

Renditja

1.Vllaznia 37
2.Tirana 36
3.Dinamo 29
4.Besa 29
5.Shkumbini 27
6.Teuta 25
7.Flamurtari 24
8.Apolonia 24
9.Elbasani 23
10.Partizani 19
11.Lushnja 17
12.Bylis 17
Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›