E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: “Rama merr votat me dhunë dhe mashtrim”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kriza e buxhetit të Bashkisë së Tiranës është zhvendosur dje në sallën e Kuvendit. Mazhoranca fajësoi kryebashkiakun Rama për bllokimin e votimit të projektit. Madje, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli e akuzuan kreun e Bashkisë për sjellje staliniste. Patozi tha se mënyra e votimit në Bashki tregoi dhe mënyrën e vërtetë se si Rama e trajton votën, pra duke e marrë atë me dhunë ose mashtrim. Ndërsa Topalli e konsideroi si turp sjelljen e Ramës gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Sipas saj, nuk ishte parë askund që kryetari i Bashkisë të numëronte votat duke shkelur çdo procedurë normale.
Debati
“Edi Rama ka një koncept stalinist për votën, të cilën kërkon ta blejë ose ta marrë nën presion”, - tha Patozi. Duke e konsideruar buxhetin e mbetur pezull në Bashkinë e Tiranës, si një temë parlamentare dhe kombëtare, Patozi sqaroi se Tirana përfshin gati 1/3 e popullsisë së vendit, por ndërkohë ka mbetur pa buxhet për shkak të kryetarit të Bashkisë së saj. “Nuk dua të ndalem në perversitetin e dëshmuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë votimit të buxhetit, por në konceptin stalinist që kryetari i opozitës ka për votën. Konceptin e Ramës ju votoni, unë numëroj , në një kohë kur po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve me standarde, duhet ta shikojmë si një kërcënim”,- tha ai, ndërsa shtoi se partia që po kërkon perfeksion në afatet dhe mënyrën e shpërndarjes së kartave të identitetit, ka këtë koncept stalinist për votën. “Kjo votë po kërkohet, për fat të keq, me joshje dhe me dhunë, po blihet ose po fitohet me shantazh. Nuk dua të merrem me integritetin politik të atyre personave që shiten, pasi ky është një problem tjetër dhe ata janë viktima të blera apo shantazhuara, por dua të ndalem te kryetari i Bashkisë që ka konceptin se vota ose blihet, ose merret nën presion”, - vijoi numri një i deputetëve demokratë. Sipas tij, megjithë dilemën hamletiane të Edi Ramës, për ta lënë apo jo Bashkinë dhe për të kandiduar në zgjedhje, pas 28 qershorit, për të nuk do të ketë më dilema, pasi do t i humbë të dyja, edhe Bashkinë edhe Parlamentin. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e konsideroi si turp konceptin që ka Edi Rama për votën. “Nëse ai vjen në Kuvend, do të ketë mundësi të shohë se si votohet buxheti i 5-të i PD-së dhe si numërohet vota. Nuk ka më, unë votoj dhe numëroj . Pse, Edi Rama do të numëroj votat e shqiptarëve më 28 qershor?”- tha Kryetarja e Kuvendit, duke e konsideruar këtë një sjellje të turpshme dhe qesharake. Ndërsa kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pohoi se ishte e pakuptueshme që mazhoranca të mërzitej se përse votohej buxheti i Bashkisë. “Buxheti i Bashkisë nuk është buxheti i kryetarit, nuk është buxheti i këshilltarëve, është buxheti i qytetarëve të Tiranës, të cilët presin investimet dhe shërbimet nga Bashkia. Unë sot prisja një tjetër gjë nga përfaqësuesit e mazhorancës, prisja reflektim, prisja kërkesë faljeje për atë sjellje të padenjë dhe pa etikë”, - tha Leskaj. Ajo shtoi se priste që mazhoranca të kërkonte falje dhe për kërcënimet e zëvendësministrit të Brendshëm drejtuar kryebashkiakut. “Të jeni të sigurt që përgjigjen do t`ua japin qytetarët në qershor. Jeni të humbur dhe nuk besoj se mund ta fitoni me presione”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›