Kreu i FMN-së Shtraus Kan akuzohet për ngacmim seksual

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar është arrestuar në Nju Jork nën akuzat për sulm seksual ndaj një prej punonjëseve të hotelit.
Zëdhënësi i policisë së Nju Jorkut Pol Braun tha se Dominik Shtraus-Kan u ndalua dhe po merrej mbrëmë në pyetje. Policia thotë se Shtraus-Kan u nxor nga avioni mbrëmë, vetëm pak minuta para se të nisej për në Paris.
Kreu i FMN-së akuzohet se kishte bërë akte të padëshirueshme seksuale ndaj një punonjëse të personelit të pastrimit në hotelin Sofitel, ku ai po rrinte deri të shtunën pasdite.
Shtraus-Kan mori drejtimin e FMN-së në nëntor 2007. Ish-Ministri francez i Financave konsiderohet si një ndër figurat më me potencial për të konkuruar si kandidat socialist kundër Presidentit Nikola Sarkozi për zgjedhjet presidenciale të 2012. Disa thonë se zoti Sarkozi mbështeti zgjedhjen e zotit Shtraus-Kan si kreu i FMN-së për ta mbajtur larg politikës franceze.