E Shtunë, 31 Tetor 2026

Whithers- Berishës: Hiq imunitetin parlamentar

TIRANE- Ambasadori amerikan John Whithers i përcon qeverisë së kryeministrit Berisha mesazhin e qartë të heqjes së imunitetit parlamentar. I ftuar në një konferencë për integrimin të zhvilluar sot paradite në Tiranë, ambasadori amerikan deklaroi mesazhin që zv sekretari për cështjet europiane në Departamentin amerikan, kishte dhënë për qeverinë shqiptare disa ditë më parë para Komitetit të Helsinkit-  Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë për të vazhduar të rrisë mbështetjen e saj për institucione të pavarura gjyqësore dhe atë të prokurorisë dhe të heqjes së imunitetit arlamentar në rastet përkatëse.- (deklarata e zv sekretari për cështjet europiane në departamentin e shtetit Xhons, e cituar nga John Whithers)

“Ajo shprehje nënkuptonte që imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. Nuk duhet të jetë dhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për të mbajtur ata persona në pozita drejtuese. “- nënvizoi sot ambasadori amerikan Whithers

Diplomati amerikan vazhdoi më tej duke u shprehur se “imuniteti nuk duhet të minojë perceptimin e publikut për integritetin dhe sistemin politik e gjyqësor”

John Whithersi kujtoi më tej kryeministrit Berisha që të mbante premtimin për shembjen e murit të imunitetit.

“Disa muaj më parë kryeministri Berisha tha përpjekje të mëdha duhen bërë që Shqipëria të shembë murin e imunitetit, ne vetëm mund të duartrokasim dhe mirëpresim pikëpamjen e kryeministrit dhe ne shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në të ardhmen e afërt”.

Deklarata vjen në kohë kur Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit i akuzuar si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit i shpëtoi ndjekjes penale falë imunitetit të marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë e cila pushoi cështjen me argumentimin se Mediu ishte i veshur me imunitetin e deputetit.

Opozita dhe familjarët e viktimave të tragjedisë reaguan kundër këtij vendimi dhe kërkojnë rihapjen e cështjes penale ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›