Rama: “Integrimi i Shqipërisë në NATO, kontribut jo vetëm i maxhorancës”
Partia Socialiste organizon një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Kreu i selisë rozë: “Jam i bindur se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit”
Shaban Sulçe
Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO për Shqipërinë nuk do të jetë rezultat vetëm i kontributit dhe angazhimit të maxhorancës aktuale apo i një politikani të vetëm, por edhe i opozitës dhe e gjithë klasës politike shqiptare. Duket se ky ka qenë mesazhi kryesor që Partia Socialiste ka dashur të përçojë, duke organizuar dje një tryezë të rrumbullaktë me ambasadorët e të gjitha vendeve të NATO-s në Shqipëri, në prag të zhvillimit të Samitit të Bukureshtit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në këtë takim theksoi gatishmërinë e PS-së dhe opozitës për të bashkëpunuar për integrimin euroatlantik të vendit, ndërkohë që ai shprehu besimin e tij të plotë se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO gjatë zhvillimit të Samitit të Bukureshtit në fillim të muajit prill.
Takimi
Takimi i organizuar nga Partia Socialiste është zhvilluar dje në mesditë, në mjediset e hotelit “Sheraton”. Në këtë takim ishin të ftuar ambasadorët në Shqipëri të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, ndërkohë që gjithashtu në këtë takim merrnin pjesë të gjithë deputetët e Partisë Socialiste. Të pranishëm kanë qenë edhe disa prej anëtarëve të Kryesisë së PS-së si dhe figura të rëndësishme të kësaj partie, ndërkohë që i vetmi që ka munguar prej deputetëve ka qenë ish-kryetari dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka qenë në rolin e moderatores në këtë takim. Pas fjalës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Uithers dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, takimi ka vijuar më pas pa praninë e medias.
Rama
Gjatë fjalës së tij përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s, kreu i selisë rozë, Edi Rama, theksoi se ndihej krenar për kontributin që Partia Socialiste ka dhënë për integrimin e Shqipërisë në NATO. “Prandaj sot, në vigjiljen e madhe të kurorëzimit të një pjese të rëndësishme të misionit të gjeneratës sonë të lindur në botën e kthyer përmbys, më lejoni të jem krenar për kontributin e Partisë Socialiste, që përmes një politike tërësisht të re për Shqipërinë e sfilitur nga konfliktet e mosmarrëveshjet politike të tranzicionit, udhëhoqi e mundësoi, në funksion të integrimit në NATO, ndërtimin e një procesi politik ku interesat strategjikë e themelorë të vendit nuk interferohen e as cenohen nga interesat e llogaritë partiake të ditës”, - tha Rama. Kryesocialisti u shpreh optimist se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë për të justifikuar më së miri anëtarësimin e saj në NATO. “Ne e dimë gjithashtu se do të gjykohemi jo mbi ato që themi e do të themi, po mbi ato që bëjmë e do të bëjmë, por më lejoni t'ju garantoj sot se përsa na takon neve, Partisë Socialiste të Shqipërisë, qoftë në opozitë e qoftë në qeverisje, do të bëjmë çdo gjë që themi. Ne kemi vetëdije të plotë për vizionin e jashtëzakonshëm e të paprecedent të themeluesve të NATO-s që parapanë se si popujt e lirë mund të punojnë së bashku për kauzën e përbashkët të lirisë e të demokracisë dhe sot jemi më të vetëdijshëm se asnjëherë që ftesa për anëtarësimin në NATO është vërtet një sukses i Shqipërisë e i shoqërisë sonë, por është njëkohësisht edhe përgjegjësia e jashtëzakonshme e politikës shqiptare në radhë të parë për të rritur pa humbur kohë cilësinë e lirisë e të demokracisë në Shqipëri e për t'u bërë një vlerë e shtuar jo thjesht numerike në tryezën e Aleancës Euro-Atlantike. Ne, socialistët, jemi gati ta mbajmë këtë përgjegjësi historike”, - deklaroi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Tragjedia
Duke folur për tragjedinë e Gërdecit, Rama tha se tragjedia nxori në pah domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të sigurisë kombëtare si dhe nevojën e ndryshimeve politike e ligjore. “Kjo fjalë s'do të ishte as e plotë e as plotësisht e sinqertë në rast se unë nuk do të prekja sot këtu tragjedinë e tmerrshme të 15 marsit, e cila na dëshmoi në një mënyrë shumë të dhimbshme sesa shumë kemi nevojë për ndryshime të thella politike e ligjore dhe sesa shumë kemi për të bërë për demokratizimin e qeverisjes, modernizimin e institucioneve dhe çmontimin e një korrupsioni sistemik e kërcënues deri edhe për jetën e njerëzve.
Në periudhën në vijim, ne dëshirojmë të ndajmë edhe me ju, partnerët e miqtë tanë të pakursyer në rrugën e integrimit të plotë në NATO e në BE, shqetësime e ide konkrete për reformimin e krejt sistemit tonë të sigurisë kombëtare. Sipas nesh, duhet një reformë komplekse”, - u shpreh Rama.
29 Mars 2008