E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori amerikan: “Shqipëria në NATO, meritë e të gjithë popullit shqiptar”



I ftuar në tryezën e rrumbullaktë të organizuar nga Partia Socialiste, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uithers, gjatë fjalës së tij në këtë takim u shpreh optimist se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO gjatë zhvillimit të Samitit të Bukureshtit. Uithers theksoi se marrja e ftesës së Shqipërisë për në NATO do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një arritje dhe kontribut i të gjithë klasës politike shqiptare dhe të gjithë popullit shqiptar, që aspiron për t’u integruar në strukturën euroatlantike.
”Është e rëndësishme ftesa e Shqipërisë në NATO. Mund të jeni informuar dje se Presidenti Bush shprehu vendimin e tij se do të ndihmojë vendet e Kartës së Adriatikut, mes tyre dhe Shqipërinë, për ftesën në NATO. Shpresojmë që kjo të bëhet realitet në ditët që vijnë. Rol të rëndësishëm për ardhjen e kësaj ftese, që shpresoj se do të ndodhë, ka luajtur dhe PS në opozitë. Qeveria ime nuk do ta shohë këtë vetëm si një tregues të një grupi të vetëm, por do ta shohë si një arritje të udhëheqësisë së Shqipërisë si një e tërë, si një arritje e popullit shqiptar”, - tha Uithers. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vlerësoi reagimin pozitiv të të gjithë klasës politike shqiptare përsa i përket gatishmërisë së saj për të bashkëpunuar për realizimin e reformave që nevojiten për integrimin e Shqipërisë në NATO. Këtë vlerësim të veçantë, Uithers e ka bërë edhe pas qëndrimeve që ka mbajtur opozita pas ndodhjes së tragjedisë së rëndë të Gërdecit. “Unë e konsideroj këtë veprim kurajë politike dhe jo vetëm të tillë, që keni ruajtur të gjallë këtë perspektivë në këto momente të komplikuara. Vendosja e interesave të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve, vendosja prioritare e këtyre interesave, të cilat unë i përshëndes të gjitha”, - vijoi shefi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Uithers u ndal edhe në komentet për tragjedinë e Gërdecit. Ai shprehu keqardhjen për këtë tragjedi të rëndë, ndërkohë që inkurajoi organet e drejtësisë për të kryer me sukses hetimet.
“Tragjedia në Gërdec ka prekur të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe ne, miqtë e këtij vendi. Ndajmë me ju dëshirën për t'i gjetur fundin këtij incidenti”, - tha Uithers.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›