E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i LSI, Ilir Meta në Madrid, kritikon PS-PD

Nga Darina Tanushi
Kreu i LSI, Ilir Meta kritikoi dy partite e medha ne Shqiperi të gjatë fjalës që ai mbajti në takimin e Këshillit të Partisë Socialiste Evropiane në Madrid të Spanjës 

MADRID-Kreu i LSI-së, Ilir Meta kritikon liderët e dy partive të mëdha shqiptare në Madrid. Meta bëri një pasqyrë të situatës politike dhe social-ekonomike në Shqipëri, gjatë fjalës që ai mbajti në takimin e Këshillit të Partisë Socialiste Evropiane në Madrid të Spanjës. Ndërsa ka folur për temën: “Për një Ballkan të ri social”, Meta, duke ju përgjigjur pyetjes së axhendës së panelit, se përse ne duhet të punojmë për një Ballkan të ri social, tha “sepse ne nuk duam që konfliktet e vjetra etnike të zëvendësohen nga konflikte të reja sociale”. Më tej Meta u shpreh se “vendet tona kanë një stabilitet ende të brishtë, i cili kërkon jo vetëm ndërmarrjen e reformave që garantojnë jo vetëm rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike, por edhe politika sociale të mençura dhe me vizion, larg populizmit dhe qëllimeve të ngushta elektorale”. Në këtë drejtim, kreu i LSI-së, Meta theksoi së pari forcimin e institucioneve dhe të stabilitetit institucional në vendet e Ballkanit, pasi ende institucionet janë të dobëta, pasi ende ligji nuk zbatohet në mënyrë efektive dhe pavarësia e drejtësisë ende mbetet shumë e kufizuar. Kjo, sipas tij, vjen si pasojë e mendësisë që trashëgojnë këto vende dhe një pjesë e drejtuesve të tyre, që është autoritare, tipike si ajo e partisë në pushtet. Kryetari i LSI-së, Meta solli si një precedent tepër negativ, “ndryshimin e Kushtetutës në Shqipëri në mënyrë jo transparente, krejtësisht për qëllime të ngushta dhe me pasoja afatgjata për pavarësinë e institucioneve dhe sidomos të Drejtësisë”. “Këto ndryshime kanë sjellë edhe një frymë autoritariste përmes mbifuqizimit të pozicionit të Kryeministrit në kurriz të parlamentarizmit”, - u shpreh Meta. Duke folur në këtë panel, ku merrnin pjesë personalitete mjaft të rëndësishme të së majtës evropiane, Meta u shpreh se progresistët kudo janë për zgjerimin e bazës së demokracisë dhe janë kundër autoritarizmit, i cili është një tipar më shumë i të djathtës. Kreu i LSI-së tha se “duhet të shmangim në vendet tona, të Ballkanit, regjimin e kapitalizmit oligarkik që kontrollon gjithë jetën politike, institucionale, ekonomike dhe që thellon polarizimin shoqëror, duke u kthyer në një potencial për konflikte sociale dhe destabilitet politik dhe shoqëror”. Sipas tij, “në kushtet kur institucionet janë të dobëta, sidomos ato rregullatore të tregut, ku pavarësia e drejtësisë është ende e cenueshme, sidomos nga qeveria, përpjekjet e grupeve të caktuara për t’u pasuruar në mënyrë jo vetëm abuzive, por edhe të pakufishme, padyshim që devijon një pjesë të mirë të rritjes ekonomike e cila mund të shkonte për qëllime sociale”. “Kjo rrit varfërinë dhe shton potencialin për krizën”, - tha Meta. Duke folur për turizmin në Shqipëri, Meta kritikoi qeverinë aktuale, që “ka dhënë shumë leje për ndërtim fabrikash çimentoje, jashtë kritereve dhe standardeve mjedisore, duke rrezikuar qëllimin e turizmit dhe një nga pjesët më të bukura të vendit”.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›