Kreu i LSI: Vota “pro” ngritjes së komisionit hetimor, vendim parimor – nuk cenon marrëveshjen me PD

Ilir Meta: Koalicioni me PD është funksional
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi dje se koalicioni qeverisës PD-LSI, është plotësisht funksional dhe në drejtim të përmbushjes së objektivave. Një ditë pas votimit “pro” ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e organeve shtetërore lidhur me lëvizjet e popullsisë në Qarkun e Kukësit, kreu i LSI-së theksoi se “mbështet ngritjen e çdo komisioni hetimor, por ky votim sipas tij, nuk prek marrëveshjen me PD-në”.
“Është një qëndrim i yni politik dhe parimor, që në tërësi shkon në favor të gjithë komisioneve hetimore parlamentare, pavarësisht se kush i kërkon, në interes të një transparence maksimale. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë, apo mosaprovimin tonë, për reduktimin e një deputeti në qarkun e Beratit. Nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin tonë ndaj qeverisjes dhe ndaj marrëveshjes sonë të koalicionit. Ne kemi pasur dhe raste të tjera për çështje të caktuara ku kemi shprehur qëndrimin tonë dhe e kemi bërë këtë në mënyrë shumë të qartë dhe konstruktive”, deklaroi Meta gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në rrethin e Mirditës. Lideri i LSI-së theksoi se koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm, ndërsa përsëriti apelin e tij për bashkëpunim mes palëve politike, për të përmbushur kushtet në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.