Meta: “Qytetarët duan rrugën e progresit, të bashkëpunojmë për statusin”

Ilir Meta takim me strukturat e LSI-së në Rrethin e Mirditës, 150 anëtarë të rinj i shtohen radhëve të LSI-së
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, si dhe nga koordinatori i LSI-së për Qarkun e Lezhës, Petrit Gjoni, ka marrë pjesë dje në një takim entuziast të organizuar me strukturat e LSI-së në Rrethin e Mirditës. Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në këtë rreth, janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 150 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë e gjithë krahina dhe treva e Mirditës për pavarësinë e vendit, ai u shpreh se LSI do t’i mbajë të gjitha premtimet ndaj mirditorëve ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën. “Ne kaluam një nga ngjarjet më të mëdha të kombit tonë që ishte 100-vjetori i pavarësisë dhe me këtë rast unë dua të përkulem me nderim për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë e gjithë krahina dhe treva juaj për pavarësinë e vendit, për krijimin e të parës qeveri dhe të shtetit tonë për të gjithë ata njerëz të nderuar të cilët me në krye imzot Dom Nikollë Kaçorri kanë lënë gjurmë të mëdha në gjithë historinë e kombit tonë. Së dyti, unë kam besim se ne do t’i mbajmë premtimet tona ndaj mirditorëve siç i kemi mbajtur edhe në të kaluarën”, tha ai. Meta e vlerësoi nismën e ndërmarrë nga LSI në Konventën Kombëtare Zgjedhore, e cila sipas tij është revolucionarizuese në politikën shqiptare, që ka të bëjë me garantimin e përfaqësimit të barabartë gjinor në të gjitha forumet tona politike. Kreu i LSI, deklaroi se qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë rolin konstruktiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim, rolin e saj të rëndësishëm për stabilitetin politik të vendit, për detoksikimin e klimës politike. “Natyrisht që ne nuk i ndryshojmë dot të tjerët por ne kemi për detyrë të sillemi ndryshe nga ata që dëshirojnë të bëjnë protagonizëm përmes konfliktit, përmes bllokimit, përmes mosmarrëveshjeve kur është shumë e lehtë të bësh një protagonizëm konstruktiv përmes bashkëpunimit, përmes mirëkuptimit sepse në këtë mënyrë, në vend që të shtojmë problemet që kanë qytetarët, ne i zgjidhim ato dhe i kemi në rendin e ditës. Ndaj LSI do të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë, do të vazhdojë të ketë një angazhim gjithmonë konstruktiv, sepse ne kemi një vizion evropian, ne kemi një shpirt evropian. Natyrisht dhe të gjitha këto kërkojnë edhe një sjellje, edhe një komunikim të tillë. Ka ikur koha e politikës e akuzave pa mbarim, të sharjeve pa fund. Është për të ardhur keq që Parlamenti po të vështrohet sot, po të ndjekësh debate duket sikur është ky nivel konflikti që ishte edhe në vitin ’92. Por ndërkohë situata në Shqipëri është krejt ndryshe dhe ndërkohë qytetarët tanë nuk janë më siç ishin pa përvojën dhe pa eksperiencën e duhur, përkundrazi demonstrojmë shumë më tepër qytetari, vetëpërmbajtje dhe respekt për njëri-tjetrin pavarësisht nga bindjet politike, shumë më tepër sesa drejtuesit e tyre dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament”, theksoi Meta. Gjithashtu, kreu i LSI i bëri apel klasës politike që të përmbushë detyrimet me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Nuk duhet ta humbisnim statusin e vendit kandidat për herë të tretë, përkundrazi duhet ta kishim fituar tre vite më parë dhe sot hendeku i vërtetë është midis kulturës demokratike që kanë qytetarët tanë këtu në Rrëshen dhe në çdo qytet dhe komunë të Shqipërisë dhe nivelit të papërmbajtur të konfliktit që vihet re në Parlament dhe që sjell bllokimin e reformave që janë të domosdoshme për progresin e vendit dhe për të përmirësuar jetën e gjithë qytetarëve tanë. Qytetarët tanë i kanë treguar vlerat e tyre evropiane. Kanë treguar që janë të aftë të marrin përgjegjësi dhe detyrime. Nuk ishin të paktë edhe në Shqipëri politikanët por edhe në Europë, përpara se të ndodhte liberalizimi i vizave, që shpreheshin skeptikë nëse qytetarët shqiptarë do të respektonin detyrimet që buronin nga marrëveshja e liberalizimit të vizave. Nuk ishin të paktë ata që thoshin, edhe politikanë, se po të hiqeshin vizat, 1 milion shqiptarë për shkak të varfërisë do të qëndrojnë në vendet e BE. Dhe ja ku jemi pas kësaj kohe, 1 milion e gjysmë shqiptarë kanë udhëtuar pa viza në më pak se dy vjet dhe në të gjitha raportet e KE, qytetarët shqiptarë rezultojnë që i kanë respektuar detyrimet e tyre më mirë se gjithë qytetarë e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Meta. Sipas tij është e rëndësishme që politika të reflektojë dhe është e rëndësishme njëkohësisht që LSI të arrijë një rezultat shumë më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. “Dhe unë jam i bindur që do ta kemi këtë rezultat sepse qytetarët tanë kërkojnë stabilitet, kërkojnë ndryshime por kërkojnë ndryshime të cilat vijnë përmes garancive se do të jenë ndryshime të ditura dhe jo të paditura. Ndryshim që çojnë në rrugën e zhvillimit dhe të progresit, në rrugën e bashkëpunimit, në rrugën e forcimit të institucioneve të pavarura, në rrugën e respektimit të meritokracisë, në rrugën e hapjes së mundësive për sa më shumë qytetarë dhe jo të kufizimit të tyre”, deklaroi më tej, kreu i LSI-së, Ilir Meta.
...