Kreu i LSI apelon nga Skrapari: Nuk duhet penguar integrimi për interesa të ngushta
Meta: Imuniteti duhet zgjidhur urgjentisht, maksimizon mundësinë për statusin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se çështja e heqjes së imunitetit është një çështje e cila duhet të realizohet urgjentisht. Z. Meta deklaroi se referendumi është një mënyrë për të hequr imunitetin, por koha e pakët kushtëzon një zgjidhje në parlament për imunitetin. “Për ne si LSI është e rëndësishme që të hiqet imuniteti sa më shpejt të jetë e mundur me çdo mjet dhe me çdo mënyrë demokratike. Pa dyshim që edhe referendumi mbetet një mjet i vlefshëm për heqjen e imunitetit por koha është shumë e rëndësishme sepse këto ditë, këto javë, vendoset për statusin. Ndaj heqja e imunitetit maksimizon mundësinë për marrjen e statusit. Në këtë mënyrë rruga më e shpejtë është ajo në parlament sepse ju e dini me referendum do të kërkojë mjaft kohë”- u shpreh ai.
Kreu i LSI theksoi se duhen lënë ethet elektorale për në periudhën kur do të afrojnë zgjedhjet pasi nuk duhet penguar statusi për interesa të ngushta të askujt. “Politika duhet të bëjë çdo gjë për ta marrë. Po të kishte qenë për LSI-në do të ishte marrë me kohë. Ju i dini qëndrimet tepër konstruktive të Lëvizjes Socialiste për Integrim. duhet të zgjidhet çështja e imunitetit urgjentisht, brenda këtyre ditëve, brenda këtyre javëve sepse koha është shumë e rëndësishme. Natyrisht që duhen lënë ethet elektorale për në periudhën kur do të afrojnë zgjedhjet. Nuk duhet penguar statusi për interesa të ngushta të askujt”- theksoi Meta.
Deklaratat e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta i bëri nga Skrapari, ku mori pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën e Kanioneve, Çorovodë-Hambull. Kjo është një vepër e cila do të kushtojë 4 milionë euro dhe është një investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në këtë përurim kanë marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deputeti i LSI-së për Qarkun Berat, Nasip Naço, Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho, ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, si dhe deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Berat, Lefter Maliqi. Në përshëndetjen para banorëve të zonës, Meta u shpreh se realizimi i kësaj rruge është një ëndërr tashmë e kthyer në realitet. Sipas tij, me mbarimin e kësaj rruge do të marrë një zhvillim rrënjësor turizmi në këtë zonë dhe qytetarët shqiptarë e turistët e huaj do të shikojnë bukuritë përrallore të Kanioneve të Skraparit. Nga ana e tij deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun Berat, Nasip Naço, u shpreh se realizimi i kësaj rrugë është një premtim i mbajtur. Sipas tij janë edhe një sërë projektesh të tjera të cilat presin të realizohen në të gjithë zonën e Skraparit. Z. Naço deklaroi se qëllimi është që çdo fshat të lidhet me asfalt me çdo qendër komune me asfalt. Sipas tij, të gjitha këto investime do të fillojnë brenda pak javësh.