Svoboda: BE t’i thotë “Po” statusit për Shqipërinë
Kryetari i grupit të socialistëve në PE, Hannes Svoboda: Reformat e mbetura të realizohen deri në çeljen e negociatave
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, kryetari i grupit të socialistëve në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, ka deklaruar për mediat se, Shqipëria këtë vit e meriton statusin e kandidatit, nëse aprovohet dhe heqja e imuniteteve. Ai vlerësoi angazhimin e qeverisë në miratimin e reformave, ndërsa theksoi se kjo meriton një shpërblim nga Brukseli. “Nëse çështjet e mbetura, duke përfshirë këtu heqjen e imuniteteve zgjidhen, Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. BE-ja mund të përdorë një procedurë në dy etapa për Shqipërinë. Së pari, ti thotë “Po” statusit të kandidatit për Shqipërinë për të nderuar dhe 100 vjetorin e pavarësisë dhe së dyti të bëhet e qartë, që negociatat e anëtarësimit do të fillojnë pasi të konstatohet që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në mënyrë korrekte dhe të denjë. Pra, politikanët e BE-së duhet të mendojnë që të shpërblejnë punën që është bërë nga qeveria dhe opozita në Shqipëri dhe të hapin dritën jeshile për Shqipërinë”- tha ai.
Svoboda theksoi se përpjekjet e klasës politike shqiptare duhet të shpërblehen dhe BE duhet të japë një sinjal pozitiv për këtë. “Është e vërtetë që në Shqipëri preferohet lufta politike. Nëse forcat politike nuk luftojnë njëra tjetrën dhe kundra njëra tjetrës, por luftojnë për të gjetur zgjidhje të mira, kjo është gjë e mirë. Megjithatë pas gjithë këtyre përpjekjeve është e rëndësishme që të jepet një sinjal i qartë nga BE që përpjekjet mund të shpërblehen dhe mbështeten. Ndaj, mendoj se, BE duhet të japë dritën jeshile për etapën e parë, statusin e kandidatit për Shqipërinë”- tha më tej ai.