Të majtë dhe të djathtë në Evropë i kërkojnë Shqipërisë heqjen e imunitetit
S’ka pasur kurrë konsensus më të gjerë ndërkombëtar sesa apeli i të gjitha institucioneve e grupeve politike në Bruksel që Shqipëria ta heqë imunitetin për politikanët dhe zyrtarët e lartë, brenda muajit shtator. Nga kryeparlamentari socialist Hannes Svoboda, tek Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE për Evropën Juglindore, tek Elmar Brok, president i Komisionit të Jashtëm të PE dhe deri te zyrtarët e lartë të politikës së Bashkimit Evropian si Stefan Fyle dhe Stefano Sanino, apeli shkon për Edi Ramën që të mos e bllokojë marrjen e statusit kandidat, në tetorin e këtij viti
Ka një konsensus “evropian” në institucionet kryesore të BE-së se, çështja e imunitetit në Shqipëri duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare, ndërsa forma më e mbështetur është ajo e “kufizimit” të tij. Kështu, të majtë dhe të djathtë, anëtarë të Parlamentit Evropian mbështesin heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, si përgjigja më e mirë në luftën kundër korrupsionit. Atëherë kur Partia Socialiste në Shqipëri ka zgjedhur mënyrën më poshtëruese për të zvarritur dhe kthyer në ‘kalendat greke’ një çështje tepër sensitive dhe me impakt ndërkombëtar (për hir të perspektivës evropiane të vendit), partnerët e saj evropiane pohojnë të kundërtën: “miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve Kushtetuese që zhveshin nga imuniteti zyrtarët e lartë”. Nga Hannes Svoboda, kryetari i grupit të socialistëve në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Evropën Juglindore në PE, Elmar Brok, president i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe deri te zyrtarët e lartë të politikës së Bashkimit Evropian si Stefan Fyle dhe Stefano Sanino i mëshojnë njëzëri faktit se, Shqipëria duhet të shënojë një hap progresiv në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të konsiderohen me seriozitet 12 rekomandimet e integrimi si dhe të akordohet statusi i vendit kandidat në BE. Si asnjëherë më parë, ka një lloj solidariteti të politikës shumëngjyrëshe evropiane lidhur me sfidat e zgjerimit të BE, duke shndërruar në objektiva të rëndësishme të mbledhjeve të institucioneve të Brukselit, specifikat që vijnë si pasojë e politikës bllokuese që opozita shqiptare instrumentalizon në parlament prej vitit 2009-ë. Ndonëse ka patur një paqartësi lidhur me ndasitë politike të Parlamentit Evropian (të majtë vs. djathtë), në ngushtimin e afateve të dorëzimit të raportit të progresit vjetor, ata janë në unison dhe ajo që mund të bëjnë në mënyrë eficente është të apelojnë për dialog dhe konsensus në parlament. Edhe heqja e imunitetit në këndvështrimin primar të të majtëve dhe të djathtëve të Parlamentit Evropian është që të kalojë me votat e të dy krahëve politike në parlament, por gjithsesi askush s’e përjashton si mundësi që, si kundërpërgjigje e rolit pengues të bllokatorëve, imuniteti të miratohet përmes referendumit kombëtar. Koha s’është në dispozicion, por drafti është i gatshëm, duhen vetëm kartonat e opozitës. Nëse kjo e fundit do mungojë, atëherë procesi do marrë një rrjedhë tjetër, tërësisht kushtetuese – me të drejtën e sovranit për të vendosur kufizimin e imunitetit për deputetë, ministra, gjyqtarë e prokurorë.