E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ballkani Perëndimor të çlirohet nga virusi i rrezikshëm i albanofobisë

05-09-2012 / Gazeta 55

Në samitin e Bled-it në Slloveni, Kryeministri Sali Berisha ka shkurajuar përpjekjet atavike për krijimin e një superminoriteti serb në Kosovë apo për të rikthyer shqiptarët e Maqedonisë në qytetarë të dorës së dytë.
Apeli/ “Në Siri të ndërhyhet ushtarakisht, ashtu siç u veprua në Kosovë e Libi”
“Imuniteti, çështje fondamentale - nëse s’miratohet në parlament, do shprehen qytetarët”

“Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar në ecjen përpara me shpejtësi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha, gjatë drekës së punës, të zhvilluar në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bled-it, në Slloveni. Berisha tha para të pranishmëve se “integrimi Evropian përbën projektin më të rëndësishëm kombëtar i cili mbështetet nga mbi 96% e opinionit publik si e ardhmja më e mirë për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë, por edhe për rajonin tonë të Evropës Juglindore konsolidimin e mëtejshëm të paqes e bashkëpunimit midis vendeve tona”. Sipas tij, integrimi evropian është një proces i bazuar tërësisht në meritë. Kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi angazhimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave që kërkon Bashkimi Evropian, ndër të cilat edhe miratimin e nismës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve shqiptarë. Pavarësisht përpjekjeve për ta ngadalësuar këtë proces, kryeministri përsëriti vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme ligji apo vendimi tjetër të nevojshme që vendi ynë të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së. “Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar në ecjen përpara me shpejtësi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë, pasi, në bindjen time më të thellë, ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, disa probleme të brendshme, për mendimin tim, plotësisht të bazuara në kalkulime politike të gabuara dhe të dështuara, e kane ngadalësuar pak procesin. Së fundmi, një frymë bashkëpunimi bipartizan bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe të disa ligjeve të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit. Një debat i ndezur po zhvillohet mbi çështjen e imunitetit. Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore. Gjej rastin të përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme, ligji apo vendimi tjetër të nevojshëm, që vendi ynë të ecë përpara drejt rrugës së tij të pandalshme drejt BE-së. Ne po punojmë ngushtë me komisionin e BE dhe vendet mike për të plotësuar sa më shpejtë që të jetë e mundur të gjitha detyrimet tona për statusin e vendit kandidat”- u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit bëri një rezyme të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, duke u shprehur se ekonomia shqiptare i rezistoi efekteve të krizës së eurozonës, falë modelit të suksesshëm ekonomik. Berisha solli në vëmendje, para të pranishmëve, masat e marra nga qeveria, si taksat e ulëta, përshtatja e standardeve më liberale të tregut, krijimi i një administrate të vogël si dhe klima miqësore ndaj biznesit. “Ekonomia shqiptare natyrisht që i ka ndier pasojat e krizës ekonomike multidimensionale, e cila do të jetë me sa duket e afatgjatë. Rënia e remitancave të emigrantëve, rënia e eksportit nga Italia, për shkak të krizës atje, problemet e krijuara nga euro në sistemin bankar, të gjitha të ardhura nga vendet anëtare të Eurozonës, kanë krijuar vështirësi reale. Por me gjithë këtë, Shqipëria në këto vite nuk ka rënë në recension. Kjo, jo sepse ekonomia shqiptare është e izoluar, përkundrazi, ekonomitë e vogla nuk mund të jenë tjetër veçse hiperglobale. Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës pa rënë në recension, para se gjithash, për shkak të modelit të saj. Ky model bazohet në taksa të ulëta, në standardet më liberale të tregut, në administratë të vogël, në klimën më miqësore ndaj biznesit. Shqipëria ka nivelet më të ulëta të taksave në Evropë. Ka një ndër 10 administratat më të vogla e më dorë-shkurtra ndaj biznesit në botë. Ajo qëndron mbi mesataren e OECD, për sa i përket investimeve ndër‑sektoriale, regjistrimit të biznesit dhe mbrojtjes së investimeve. Ekonomia shqiptare është rritur 22% në pesë vitet e fundit të marra së bashku, një shifër katër herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit”- tha ai.
Të tjerë tregues kryeministri renditi investimet në infrastrukturë, energji, rritjen e investimeve të huaja dhe shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion turistik. “Shqipëria po ndërton një nga infrastrukturat më moderne në rajon. Eksportet e Shqipërisë u dyfishuan për periudhën 2009-2011. Investimet e huaja direkte u rritën në 4 vjet me 316 për qind. Vitin e kaluar, vendi im mikpriti mbi 4 milionë turistë e vizitorë nga 300 mijë që priti gjithsej në vitin 2004. Zhvillimi i qëndrueshëm, i bazuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe rritjen jeshile, mbeten objektiva madhorë të qeverisë sime. Shqipëria është një vend i pasur në ujëra, një lloj “Norvegjie e vogël ne Ballkan”. Qeveria ka nënshkruar me sektorin privat rreth 120 kontrata për ndërtimin deri tani të 330 hidrocentraleve. Kompani nga vendet tuaja, nga e gjithë bota, po punojnë në Shqipëri për energjinë e gjelbër. 70 nga këto hidrocentrale kanë përfunduar së ndërtuari. Të tjerë janë në ndërtim e sipër. Në vitet që vijnë, vendi do të shndërrohet në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon”- deklaroi kryeministri Berisha.

Pavarësia e Kosovës, realitet i pakthyeshëm – përçmimi ndaj shqiptarëve doktrinë racizmi

Zhvillimet rajonale ishin një tjetër çështje e prekur nga kreu i qeverisë shqiptare.
Berisha tha se, pavarësisht luftërave shkatërruese e dramave të dhimbshme që ka përjetuar gadishulli i Ballkanit në të kaluarën, rajoni po përjeton tashmë një kohë përpjekjesh të mëdha nga ana e popujve të vet, për të arritur një bashkëpunim më të ngushte me njëri-tjetrin, si në integrimin rajonal, ashtu edhe atë evropian. Sipas tij, Shqipëria ruan marrëdhënie miqësore me të gjithë fqinjët e saj dhe vendet e tjera në rajon. “Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun mes Republikës se Kosovës dhe Serbisë, për të gjitha çështjet teknike dhe ka përshëndetur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE mes të dy vendeve. Ne besojmë se zbatimi i plotë i tyre është dhe mbetet një faktor i rëndësishëm, jo vetëm për marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve, por edhe për rajonin në tërësi”- tha ai.
Në funksion të bashkëpunimit rajonal, kryeministri Berisha ftoi Beogradin të pranojë pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm. Kryeministri shqiptar veçoi se, Republika e Kosovës është shndërruar sot në një faktor real paqeje e stabiliteti në rajon.
“Ne ftojmë udhëheqjen e re politike në Beograd të pranojë, në interesin e saj më të mirë, Kosovën e pavarur si një realitet të pa-rikthyeshëm në rajonin tonë dhe të tregojë të njëjtin vullnet të dëshmuar nga Republika e Kosovës për implementimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, si rruga më e mirë për konsolidimin e paqes dhe bashkëpunimit në rajon, që në të njëjtën kohë, është në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Republika e Kosovës është shndërruar sot në një faktor real paqeje e stabiliteti në rajon, çka u dëshmua qartësisht edhe nga ndërprerja nga ana e komunitetit ndërkombëtar e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së saj. Qeveria shqiptare përshëndet rolin dhe kontributin thelbësor të EULEX dhe KFOR në lidhje me paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit”- tha ai, duke pohuar angazhimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, ndërsa etiketoi si fatkeqësi të Ballkanit Perëndimor, përçmimin ndaj shqiptarëve. “Rajoni ynë, vetëm pak vite më parë, njohu luftërat dhe konfliktet më të egra në Evropën e pasluftës. Sot ky rajon ka bërë progres të jashtëzakonshëm në drejtim të bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit rajonal, integrimit euroatlantik dhe evropian.
Kështu, sot Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, janë anëtare të NATO-s, Sllovenia e Kroacia janë anëtare të BE-së dhe vendet e tjera janë në marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me BE-në. Proceset integruese kanë qenë forca lëvizëse kryesore, plazma e këtyre bashkëpunimeve. Këto procese shtyjnë, shkëpusin popujt tanë nga e shkuara e hidhur recente dhe distante dhe i shtyjnë ata drejt një të ardhmeje të merituar. Por duhet të theksoj se një tjetër kërcënim në Ballkanin Perëndimor është Albanofobia. Ky fenomen ka lënë gjurmë në sjelljen e fqinjëve ndaj shqiptarëve për dekada dhe shekuj. Kjo doktrinë racizmi, urrejtjeje dhe përçmimi ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht, ka edhe sot shpërthimet e veta të shëmtuara. Nuk mund të kenë shpjegim tjetër sulmet politike ndaj shqiptarëve të Preshevës ditën e heshtjes zgjedhore, të drejtuara nga njeriu që sot drejton ekzekutivin e Serbisë, me qëllimin e vetëm terrorizimin e shqiptarëve, që ata të mos dilnin në zgjedhje për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Dhe sot, pas gati 70 vjetëve, këta njerëz nuk kanë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Serbisë.
Gjithashtu, është e pa justifikueshme denoncimi i nderimit të luftëtarëve të lirisë që, me sakrificën e tyre sublime, bënë të mundur Marrëveshjen e Ohrit, që përbën një bazë solide për paqen, stabilitetin e Maqedonisë” - deklaroi kryeministri Sali Berisha.

Në Siri, të ndërhyhet me misione ushtarake, si në Kosovë e Libi

Duke u ndalur tek çështje të karakterit ndërkombëtar, kryeministri Berisha theksoi: “Pranvera arabe, e cila filloi me përmbysjen e diktatorit Ben Ali, në Tunizi, solli zhvillime të rëndësishme pozitive, të përshëndetura nga popujt e vendeve të përfshira në të dhe mbarë opinioni ndërkombëtar. NATO dhe vendet e lira dëshmuan sërish se i qëndrojnë fuqishëm vlerave më të lartë të njerëzimit. Pas ndërhyrjes në Libi dhe rrëzimit të tiranit Gadaf, ky vend mik zhvilloi për herë të parë zgjedhje të lira dhe të drejta. Shqipëria përshëndeti përfundimin e zgjedhjeve në Egjipt, duke besuar se pas rrëzimit të regjimit të Mubarakut, ky vend ka hedhur hapat e para pozitive drejt konsolidimit të demokracisë dhe rifitimit të vendit që meriton, si një komb i madh e i rëndësishëm në arenën globale. Populli sirian po përballet me masakrat e barbaritë e Bashar al-Asadit. Ky diktator, me mizoritë që po kryen, ka dhunuar frymën dhe çdo gërme të Deklaratës Universale të të drejtave të Njeriut, Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë kontekst, mendoj se është jetike që komuniteti ndërkombëtar, Aleanca e Atlantikut të Veriut, të ndërmarrë të gjitha masat, si edhe në Bosnje-Hercegovinë, në Kosovë, edhe në Libi, për të shpëtuar nga shfarosja një popull që po martirizohet për liri dhe për dinjitet njerëzor. Çdo vonesë kushton çdo ditë me qindra jetë të pafajshme e të pambrojtura njerëzore”.
Forumi Strategjik i Bled-it, është një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovene dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.
Punimet e këtij Forumi u fokusuan në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Temat e diskutimit iu referuan rrugëve dhe mundësive të reja drejt nxitjes së rritjes ekonomike dhe rolit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Të pranishëm në punimet e Forumit ishin personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, etj, drejtues të lartë të OECD-së, të OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. I pranishëm në këtë forum ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›