E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi zyrtar/ “Rezultate shumë pozitive, po presim edhe heqjen e imunitetit”

05-09-2012 / Gazeta 55

Shqipëria prezanton në Bruksel raportin mbi përmbushjen e “masës kritike” në listë-rekomandimet e BE

Qeveria shqiptare prezantoi dje në Bruksel qëndrimin e saj mbi përmbushjen e “masës kritike” të 12 rekomandimeve, duke marrë një vlerësim paraprak nga Komisioni Europian. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino deklaroi se Komisioni konstaton progres në realizimin e prioriteteve. Sipas tij, faktori politik shqiptar mund të gëzohet me atë çfarë është arritur deri tani. “Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë, ekstremisht pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend, dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu”- u shpreh Sanino.
Pas votimit të disa ligjeve me 3/5, emërimit të Avokatit të Popullit e miratimit të reformës zgjedhore, vendi nuk ka mbyllur ende çështjen e rregullores së parlamentit dhe atë të imuniteteve. Kjo e fundit zuri vendin kryesor edhe në debatin e organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane në Bruksel ku të pranishëm nga pala shqiptare ishin ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti dhe ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu. Kryediplomati shqiptar theksoi se diskutimet janë orientuar drejt heqjes së imunitetit, si shenjë progresi në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, krahas votimit në parlament, mazhoranca ka edhe një alternativë tjetër, atë të referendumit kombëtar.
“Ka disa alternativa në vend për të shtyrë përpara ligjin për heqjen e imunitetit. Siç e dini, mazhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mirë”- u shpreh Panariti.
Për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu propozimi i socialistëve për ndryshimet kushtetuese gjatë shtatorit, është faktor pengues në realizimin e 12 prioriteteve. Sipas saj, çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen në një kohë tjetër, ndërsa imediate për momentin është votimi i imunitetit. “Tani ne nuk kemi më kohë të mjaftueshme t’i hyjmë debatit të ndryshimeve kushtetuese gjatë shtatorit. Heqja e imunitetit është diçka që po e mbajmë si propozim që prej vitit 2003. Ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen më vonë”- u shpreh Bregu.
Sa i takon qëndrimit të Brukselit, lidhur me një çështje të tillë, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino tha se me heqjen e imunitetit, lufta kundër korrupsionit merr një dimension të ri. Ai inkurajoi klasën politike që të hedhë hapa pozitivë në këtë drejtim. “Dua të nënvizoj rolin e imunitetit, që edhe për ne është një element i rëndësishëm. Lufta ndaj korrupsionit është një nga fushat ku ne besojmë se nevojitet të bëhen përpjekje dhe kjo do të përbëjë me siguri një përpjekje në drejtimin e duhur. Nëse ne, me shpresë, shohim miratimin e këtij ligji në një mënyrë le të themi jo të sforcuar, por me marrëveshje ndërmjet të gjitha forcave politike, atëherë kjo do të përbënte me siguri një hap të rëndësishëm përpara, e shoqëruar nga të gjitha gjërat e tjera që janë bërë por edhe nga përpjekjet që forcat politike po bëjnë në fusha të tjera”- theksoi Sanino.
Komisioni Evropian, i cili ka nisur me kohë hartimin e raport-progresit, do të marrë në shqyrtim të dhënat e fundit të dorëzuara nga qeveria shqiptare për t’i përfshirë në dokumentin që publikohet më 12 tetor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›