Stefan Fyle: Po arrihet masa kritike në përmbushjen e 12 rekomandimeve të BE

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fyle deklaron se plotësimi i prioriteteve kyçe nga 12 rekomandimet e Komisionit, do të sjellë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian në progres-raportin e tetorit
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me Komisionerin për Çështjet e Zgjerimit, Stefan Fyle. Në fillim të takimit, z. Panariti e falenderoi Komisionerin Fyle për angazhimin dhe ndihmën e tij të vazhdueshme në kuadrin e procesit të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me BE.
Ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti zhvillimet politike të kohëve të fundit si dhe ecuria e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, ishin në qendër të diskutimeve gjatë këtij takimi. Ministri Panariti e njohu Komisionerin Fyle me ecurinë e deritanishme të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e vënë theksin tek arritjet që ka patur në këtë drejtim, arritjet të cilat kanë qenë fryt i një klime të re politike në vend.
Z.Panariti rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar ngushtësisht me opozitën në drejtim të plotësimit sa më të shpejtë të reformave kyçe, aq të nevojshme për të siguruar një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit dhe e vendeve anëtare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Ai vuri në dukje se mazhoranca ka vullnetin maksimal për gjetjen e zgjidhjeve brenda një kohe të shkurtër dhe për përfundimin e reformës parlamentare dhe çështjen e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, me miratimin e së cilës përmbyllim një nga prioritetet më madhore politikë.
Ministri Panariti vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reforma në sistemin gjyqësor dhe administratën publike, do të vazhdojnë të mbeten në krye të agjendës së punës të Qeverisë.
Nga ana e tij, Komisioneri Fyle vlerësoi përpjekjet e bëra nga qeveria dhe opozita për të forcuar bashkëpunimin në kuadrin e reformave institucionale dhe përshëndeti zhvillimet pozitive të arritura së fundi. Ai deklaroi se Shqipëria ka një perspektivë reale për një progres në rrugën drejt integrimit evropian në vitin 2012 dhe për këtë duhet të arrijë masën kritike të rezultateve konkrete në reformat kryesore.
Ai shtroi nevojën që dialogu konstruktiv politik duhet të vazhdojë për të plotësuar reformën parlamentare.
Gjithashtu ai vuri në dukje domosdoshmërinë për vazhdimin e progresit në përmbushjen e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian, veçanërisht ato që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne këtë kontekst, z. Fyle deklaroi se rishikimi i sistemit të imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Duke rikonfirmuar angazhimin dhe mbështetjen e plotë të këtyre përpjekjeve, komisioneri Fyle e ftoi Shqipërinë që të mbetet e fokusuar në realizimin e reformave të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian.