E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan për të rritur akcizën e cigareve

Ministria e Financave po vlerëson mundësinë e rritjes së akcizës për cigaret, duke u nisur nga fakti i nivelit të ulët në krahasim me vendet e tjera. Taksa e akcizës aktualisht është 40 lekë/paketa, por kjo nuk mjafton për ministrinë. Specialistë të Financave konfirmojnë planin e qeverisë për të prekur vetëm nivelin e akcizave për pjesën e dytë të vitit, kurse taksat e tjera do të jenë të pandryshuara. "Kemi nivelin më të ulët në rajon. Mesatarja e paketës së duhanit në BE arrin në 4 euro, kurse në rajon është 3.5 euro. Në Shqipëri paketat e duhanit variojnë 1-2 euro", argumenton burimi në ministri. Me qëllimin për ta përafruar nivelin e detyrimit tatimor me të vendeve fqinje, masë e nevojshme edhe për të ulur kontrabandën, plani është për një rritje deri në 50 për qind. Aktualisht paketat në treg i gjen me 120-200 lekë, kurse në vendet e tjera me 250-300 lekë të reja. Të ardhurat nga importi i cigareve arritën në 2008-ën në rreth 40 milionë dollarë (3.9 miliardë lekë). Aktualisht, shkalla tatimore e produkteve të duhanit paraqitet si: puro dhe cigarillos që përmbajnë duhan 2240 lekë/kg, cigare që përmbajnë duhan 40 lekë/paketa, puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani 2240 lekë/kg dhe duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit, duhan i homogjenizuar ose i rindërtuar, ekstrakte dhe esenca prej duhani, 1500 lekë/kg.

Për vitin që lamë pas janë konsumuar rreth 4 milionë fije duhani ose 4235 tonë, me një vlerë xhiroje 70 milionë dollarë (6.8 miliardë lekë), ose 15 për qind rritje. Të ardhurat nga taksa e akcizës në total është rreth 21 miliardë lekë, nga 18.8 miliardë lekë të realizuara në 2007-ën. Politika e qeverisë për të rishikuar shkallën e akcizave preku vetëm produktet e karburanteve, të cilat pësuan ndryshime me kah rritës. Unifikimi i akcizës për naftën me 37 lekë/litri solli reagimet e importuesve, që më pas e reflektuan te çmimi i pakicës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›