E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PD-së së Tiranës, Bumçi, Pernaska dhe Bojaxhiu në garë



800 delegatë votojnë sot kreun e ri të PD-së së Tiranës

Demokratët do të shfrytëzojnë 5 minutat e fundit të skadimit të afatit ligjor për dorëzimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të listës me kandidatët për deputetë. Kryesia e vogël vendosi dje për orën 15:55 minuta të ditës së martë, për dorëzimin e zarfit me 140 emrat që do të përballen me të majtën në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e vogël e PD-së, në mbledhjen e djeshme, vendosi edhe për tre emrat që do të konkurrojnë sot për postin e kreut të demokratëve të kryeqytetit. Ata janë deputeti Aldo Bumçi, Lajla Pernaska dhe drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhiu. Mbi 800 delegatë votojnë mesditën e sotme në orën 12:00 për pasardhësin e Sokol Olldashit, pikërisht mes këtyre tri kandidaturave. Në bazë të statutit të PD-së, anëtarësia e kryesisë së vogël miratoi tre kandidatë prej të cilëve vetëm njëri do të jetë fitues. Pak orë para mbledhjes, njëri nga kandidatët për këtë garë, Besnik Mustafaj dha dorëheqjen, ndërkohë që ai kishte refuzuar edhe firmën mbi formularin për kandidimin si deputet i PD-së më 28 qershor.

Kryesia, konform vendimit të Mustafajt, futi në garë Bumçin, Pernaskën dhe Bojaxhiun, ndërsa miratoi dhe rendin e ditës së konferencës së sotme të degës më të madhe të PD-së. Kryetari aktual, Sokol Olldashi, do të hapë punimet e saj, ndërkohë që do të bëjë dhe analizën 4-vjeçare të degës që ai drejtoi për 4 vite më radhë. Më pas konferencën do ta përshëndesë lideri Sali Berisha. Fill pas tij, tre kandidatët që do të garojnë, do të shpalosin platformat e tyre për drejtimin e PD-së së Tiranë dhe në bazë të tyre, 800 delegatët do të vendosin me votë se kush do t’i qeverisë ata përgjatë një mandati të ri katërvjeçar. Gjatë mbledhjes së kryesisë u diskutua edhe çështja e listave të kandidatëve për deputetë. Anëtarësia ra dakord që lista me emrat e PD-së të dorëzohet vetëm në momentet e fundit të skadimit të afatit ligjor. Pikërisht në orën 15:55 minuta ajo do të çohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Por para se të mbyllet zarfi me emrat e kandidatëve, lideri Berisha do të mbledhë sërish forumin më të lartë të PD-së, për të miratuar emrat me të cilët PD-ja kërkon një mandat të dytë qeverisës më 28 qershor.

Ende nuk ka nisur diskutimi i emrave konkretë, ndërkohë që pohohet se listën e Tiranës do ta kryesojë z. Berisha, i dyti do të jetë Aldo Bumçi dhe e treta, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërsa kryetarët e grupeve të punës të shpërndara nga Kryesia e qendrës në qarqet e vendit, do të konkurrojnë pikërisht në zonat e përcaktuara për të ndjekur fushatën elektorale të PD-së. Në listën e kandidatëve pritet të ketë surpriza të reja, ndërkohë që të garantuar në listë momentalisht janë ministrat, anëtarët e Kryesisë së PD-së dhe pjesa dërrmuese e grupit parlamentar të kësaj partie. Përmes emrave që do të publikohen vetëm ditën e martë, demokratët kërkojnë vijimësinë e reformave të nisura, duke fituar një mandat të ri qeverisës më 28 qershor 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›