Berisha: Zgjedhjet nuk prishen pse thyhet karrigia e Ramës
Kryeministri në Korçë: Do të financojmë çdo projekt në fshat
“Opozita bën thirrje të mos rrisim pagat dhe pensionet”
Kryeministri Sali Berisha sulmoi dje të bërit opozitë nga Edi Rama, duke deklaruar se kreu i PS-së ka protestuar në kancelaritë diplomatike që vendi të mos hyjë në NATO. Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, në disa komuna të Korçës, Berisha tha se opozita ka këmbëngulur pa arsye se zgjedhjet do të prisheshin, por ai garantoi se zgjedhjet e qershorit do të jenë tërësisht të lira dhe të ndershme, ku për herë të parë shqiptarët do të votojnë me një listë transparente elektronike dhe me dokumente dixhitale. “Opozita shqiptare u kërkonte kancelarive evropiane që të mos votonin për Shqipërinë në NATO se do të prisheshin zgjedhjet. Përse do të prisheshin zgjedhjet? Ne do votojmë si kurrë ndonjëherë të lirë, me karta identiteti, me regjistër elektronik, si qytetarët më të lirë”, - deklaroi Berisha, duke akuzuar më tej kreun e PS-së, Edi Rama. Sipas tij, Rama po bën një fushatë antikombëtare, sepse më 28 qershor do të rrëzohet nga vota e qytetarëve. Por Berisha garantoi se zgjedhjet nuk do të prishen pse thyhen këmbët e karriges së pushtetit të Edi Ramës. “Zgjedhjet nuk prishen sepse do humbasësh ti zotëri, ato nuk prishen se thyhen këmbët e karriges tënde. Shqipëria do të bëjë zgjedhjet më të mira dhe ne do të vazhdojmë mandatin e dytë drejt anëtarësimit në BE me meritë të plotë, për një proces në të cilin kemi ecur të sigurt”, - tha Berisha.
Përpara banorëve të komunës Gorishtas, kreu i qeverisë bëri një dallim mes PD-së dhe PS-së. Ai tha se kjo mazhorancë po jep fakte dhe ka treguar se vota e dhënë më 3 korrik të 2005-s, është shpërblyer me mbajtjen e premtimeve. Sipas tij, në krahun tjetër nuk ka asnjë alternative, përkundrazi, shihet dhe mashtrohet gjithë kohës. “Përballë kësaj alternative që qëndron mbi fakte dhe të vërteta si drita e diellit, qëndron alternativa e shpifjes, trillimit dhe mashtrimeve”, - tha ai, duke shtuar se gjatë këtyre viteve, kjo opozitë ka qenë kundër interesave të qytetarëve. Kreu i mazhorancës tha se në momentin kur qeveria rriste pagat dhe pensionet, opozita nuk i pranonte ato. Të njëjtën politikë ka ndjekur edhe me hyrjen në NATO apo aplikimin në BE. “Çfarë kërkon opozita? Opozita vërtet mund të mos rrisë pagat dhe pensionet, por a ka opozitë në botë që t’i kërkojë qeverisë që të mos rrisë pagat edhe pensionet? Çdo opozitë i kërkon qeverisë që t’i dyfishojë ato, dhe jo të mos i rrisë. Opozita shqiptare proteston dhe bën thirrje të mos rrisim pagat dhe pensionet. Opozita shqiptare kërkon dhe bërtet të mos aplikojmë në BE”, - deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u përqendrua më tej tek premtimet për fshatin. Ai tha se kjo qeveri ka bërë për zonat rurale më shumë se çdo qeveri tjetër të marra sa bashku. Ai përmendi rrugët e asfaltuara, politikat që ka ndjekur qeveria që sipas tij, kanë futur fermerin shqiptar në treg. “Sot vijmë tek ju me bilanc tjetër. Vetëm në komunën tuaj janë të ndërtuara ose në proces ndërtimi 20 km rrugë, kundrejt 0 kilometrave rrugë të viteve të qeverisjes së tyre”, - tha Berisha. Ai tha më tej se çdo projekt që do të ketë, komunat do të financohen. “Këtë vit qeveria ka vendosur të pranojë dhe të mos kthejë asnjë projekt tuajin që ju e meritoni. Natyrisht projektet i bëni ju dhe unë ju garantoj se ato do të financohen, sikundër do të financohen dhjetëra dhe qindra projekte te tjera të agro-përpunimit, të ftohjes dhe të impianteve të tjera të domosdoshme për ju”, - premtoi Berisha, duke thënë më tej se në mandatin e ardhshëm, do të ketë më shumë punë nga kjo qeveri.