E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e qershorit, ja programi i PS-së

Programi i PS-së synon ide, punësim, shkollim sistem shëndetësor të reformuar dhe lëvizje të lirë të qytetarëve


TIRANË- Pas një dialogu të gjatë me Shqiptarët, tryezash konsultimi me ekspertë vendas dhe të huaj, Partia Socialiste prezantoi dje programin qeverisës përmes Konferencës Kombëtare, të zhvilluar dje në Pallatin e Kongreseve. Me moton, "Për një politikë të re për Ndryshim", ekspertët më të mirë të PS-së kanë bërë publike dje pikat kryesore të programit, duke synuar në thelb një politikë të re për ndryshim.


Seseri: Punësimi, synimi ynë


"Asgjë më shumë se puna e njerëzve nuk e ka përcaktuar zhvillimin e një vendi",- u shpreh dje një nga ekspertët e hartimit të programit të PS-së, Rudina Seseri, teksa foli gjatë për punësimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Ajo sqaroi se uljen e papunësisë, PS-ja e sheh si mjetin kryesor për të luftuar varfërinë në vend. "Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë do ta ulë papunësinë në nivelin njëshifror, 9%; do të përgjysmojë nivelin e papunësisë në fshat dhe deri në fund të mandatit tonë, do të bëj të prekshme 197.000 mundësi të reja punësimi",- tha ajo.


Duke cituar programin qeverisës të PS-së, Seseri theksoi se deri në vitin 2013 do të eliminohet puna e fëmijëve nën 16 vjeç në sektorin formal, do të ulet informaliteti e parandalohet shfrytëzimi i fëmijëve në ekonominë gri. Seseri shtoi se do të ndërtohet një shtet modern, korrekt me biznesin, duke pritur të njëjtën korrektësi edhe prej biznesit. "Ne do të eliminojmë çdo vonesë në rimbursimin e TVSH-së dhe çdo taksë dhe tatim të paguar më tepër",- tha ajo. Seseri theksoi, gjithashtu, se PS-ja, në ditët e para të mandatit do të shfuqizojë dhe hedhë poshtë ligjet antibiznes. "Ne do të mbështesim marrëveshjet për ristrukturim të kredive të këqija midis bankave dhe biznesit dhe do të propozojmë krijimin e një fondi garancie për likuiditet", - shtoi ajo.


Malaj: Çfarë ofrojmë me politikat ekonomike


Arben Malaj theksoi që në fillim të fjalës së tij se ekonomia dhe buxheti i vendit janë sot përballë sfidave të vështira. "Ritme të larta të rritjes ekonomike, ulja e papunësisë dhe një kohezion social më i plotë, janë në themel të programit tonë ekonomik. Pa ritme të larta të një rritjeje ekonomike cilësore dhe të qëndrueshme, çdo premtim tjetër do të ishte vetëm demagogjik",- tha Malaj.


Për këtë arsye, Malaj tha se PS-ja do të synojë të arrijë brenda një viti ritmet e larta të rritjes ekonomike, do të synohet një inflacion i ulët, si dhe do të aplikohen politika fiskale që nxisin modernizimin e ekonomisë. "Ne do të reduktojmë borxhin publik dhe koston e tij. Ne do të rrisim transparencën, konkurrencën dhe efikasitetin e parave të taksapaguesve shqiptarë.


Politikat tona fiskale nuk do të jenë magnete investimesh të përkohshme për projekte të preferuara kryeministrore", -tha ai. Sfidat ekonomike, Malaj theksoi se do të përballohen edhe me bashkëpunimin maksimal dhe efektiv të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare. "Bashkëpunimi me FMN-në do të nisë që më 29 qershor",- shtoi ai.


Bushati: Fshati dhe garantimi i pronës


Ervin Bushati foli dje për një gjendje të rënduar të jetës në fshat dhe situatës në bujqësi. Por, për daljen nga kjo situatë, PS-ja premton një politikë të re zhvillimi, duke nisur me transformimin e bujqësisë nga një aktivitet mbijetese, në një sektor modern, në një ekonomi të hapur. Objektivat e zhvillimit të Partisë Socialiste, sipas Bushatit, janë: rritja e mirëqenies në fshat dhe garantimi i pronës dhe i sigurisë social-ekonomike, mbështetja e prodhimit vendas nëpërmjet zhvillimit, profilizimit dhe konsolidimit të biznesit agrar në një treg funksional, biznesi agrar do të përjashtohet nga taksat për 3 vite.


Përmes programit të saj, PS-ja do të synojë gjithashtu rritjen e ekonomisë rurale me aktivitete si: agroindustria, turizmi, bimët e egra dhe medicinale, produktet bio dhe artizanale, peshkimi, pyjet, gjuetia dhe agroturizmi.


Shamku: Arsimi që duam ne


Ledi Shamku është pjesë e grupit të punës, e cila ka punuar fort për politikat e reja që PS-ja do të ndjekë në arsim:


"Ne jemi për një politikë të re, që mbështetet tek forcimi i identitetit europian e kombëtar në gjithë sistemin tonë arsimor, publik e privat e në të gjitha ciklet dhe natyrat e shkollimit, tek edukimi me vlera shpirtërore, që kultivojnë ndjenjën e qytetarisë e të përkatësisë europiane, tek shkollimi i gjithsekujt sipas talentit dhe aftësisë, duke e shndërruar shkollën në një kultivuese të vërtetë dhuntish e, mundësisht, tek shkollimi me laboratorë modernë e mjete didaktike funksionale, ku mësues e pedagogë nuk detyrohen më të shpjegojnë me gishta, tek arsimi që garanton punësim, që bazohet në teknologji dhe vlera qytetare, e që siguron punë në Shqipëri dhe jashtë saj, tek shpërblimi real i punës së arsimtarëve, duke mos u ndalur vetëm te paga, po edhe te rivendosja e dinjitetit të tyre, tek unifikimi i vërtetë i programeve tona shkollore me ato të Europës, për ta përmbushur kësisoj ëndrrën që përkund çdo prind shqiptar për bijtë e vet, tek politika që në raportin sistem publik-sistem privat, e sheh privatin si partner të shtetit drejt synimit të përbashkët, tek shndërrimi i Shqipërisë në një kantier të vërtetë mundësish shkollimi e kursesh riaftësimi, tek qeverisja që arsimin e ka zë kryesor në buxhetin e saj dhe këtë nuk e konsideron thjesht si shpenzim, por si një investim për të ardhmen".


Beqja: Shërbim shëndetësor universal


Ilir Beqja, pjesë e panelit të djeshëm gjatë prezantimit të programit të PS-së, deklaroi se PS-ja do të ofrojë mbulim universal me shërbim shëndetësor për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga të ardhurat e tyre, gjendja shoqërore, vendbanimi, gjinia apo mosha.
"Shërbimi shëndetësor, që ne do të ngremë do të shtrihet në të gjithë vendin dhe do të mbështesë të gjitha hallkat e ecurisë së kujdesit për shëndetin.


Ne do t'u ofrojmë qytetarëve tanë vëmendje gjatë gjithë zinxhirit të shërbimeve që ata kanë nevojë, përfshirë parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Do të reduktojmë sorollatjet dhe radhët duke përmirësuar planifikimin dhe koordinimin",- tha ai. Beqja theksoi se, kujdesi për shëndetin e nënës dhe fëmijës do të jetë prioriteti i PS-së. "Ne do të ofrojmë shërbimet më cilësore për gratë shtatzëna, nënat dhe fëmijët",- tha ai, duke shtuar se, PS-ja do të mundësojë që të gjitha barnat në Shqipëri të shiten kudo njësoj dhe jo më shtrenjt sesa në tregun e vendit të origjinës.


"Ne do të rrisim cilësinë dhe sigurinë e barnave duke shtuar kujdesin për indikacionet e barnave në përputhje me standardet europiane. Ne do të rrisim kontrollin e cilësisë gjatë të gjithë zinxhirit të shpërndarjes së barnave",- tha ai.


Gjermeni: Politika sociale që do ndjekim


Eglantina Gjermeni, një tjetër eksperte e PS-së që ka punuar për programin e PS-së, tha se kjo parti do t'u japë prioritet grupeve më në nevojë si, fëmijët, gratë, të moshuarit, individët me aftësi të kufizuara, etj. "Individët me aftësi të kufizuara, të varfrit, të moshuarit, romët dhe nevojat e tyre specifike, adresohen më mirë përmes një përqasjeje të integruar dhe afatgjatë.


Reformimi i sistemit të sigurimeve shoqërore synon krijimin e mundësive të barabarta dhe të qëndrueshme për përfituesit, duke përfshirë këtu individët që banojnë në zona rurale apo urbane",- tha ajo. Gjermeni theksoi se sigurimi që përfitimi i lejes së lindjes të jepet për çdo nënë, pavarësisht nga kontributet në sigurimet shoqërore, bën të mundur që shteti dhe shoqëria të ofrojnë përkujdesje për fëmijën, nënën dhe familjen.


Baraj: Mjedisi, një nga sfidat më serioze


Besnik Baraj tha dje se mjedisi për PS-në është nga sfidat më serioze. Për të frenuar shkatërrimin e burimeve natyrore dhe për t'i rehabilituar ato, Baraj shtoi se PS-ja do t'u ofrojë shqiptarëve një program mjedisor radikalisht zhvillues e të qëndrueshëm.
"Integrim të komponentes mjedisore në politikat ekonomike të zhvillimit të vendit, duke ndikuar pozitivisht në drejtimin, koston dhe ritmet e ecurisë ekonomike, shëndetit të popullit dhe sigurisë kombëtare.

Adoptim të politikave që mundësojnë shfrytëzimin racional e të qëndrueshëm të natyrës, duke shërbyer si gjenerator mundësish për të hapur fronte pune dhe për të zhvilluar biznese që janë në harmoni me mjedisin", -thuhet në programin e PS-së për mjedisin. Baraj shtoi se duhet ndërhyrje energjike me faktorë financiarë, menaxhues dhe instrumente ligjorë për të penguar degradimin e natyrës dhe zmadhimin e borxhit të madh mjedisor që po u krijojmë brezave të ardhshëm.

Një tjetër synim është edhe arritja e standardeve mjedisore, për rehabilitimin e zonave të ndotura, të pyjeve, për uljen e ndotjeve në ajrin urban, në ujërat sipërfaqësore dhe për zvogëlimin e erozionit, si parakushte për të realizuar me sukses integrimin në Bashkimin Europian.


Bushati: Shqiptarët, pa viza brenda vitit 2010


Politika e jashtme dhe procesi i integrimit europian janë pjesë e pandarë, ku politika e jashtme në qeverisjen e re do të zërë padyshim një vend të rëndësishëm. Ky është qëndrimi që mbajti dje, gjatë konferencës për programin, eksperti i PS-së për politikën e jashtme, Ditmir Bushati. "Ne do të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen, brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet 42 standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave, që kanë të bëjnë me: sigurinë e dokumenteve, migracionin ilegal, menaxhimin e integruar të kufijve dhe politikat e ripranimit, rendin publik dhe sigurinë, përmes luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe shtrëngimit të ligjit",- tha dje Bushati.


Paralelisht me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe përgatitjen për fillimin e negociatave për anëtarësim, PS-ja do të përshpejtojë reformat që synojnë menaxhimin në mënyrë të decentralizuar të fondeve të para aderimit, që kanë të bëjnë me zhvillimin rajonal, rural dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›