Listat e deputetëve në PS, sërish ndryshime
Shtyhet mbledhja e Kryesisë, konfuzion në PS
Emra të rinj, zëvendësohen me më të rinj. Fatos Nano, drejt një partie tjetër për kandidimin
Lista e deputetëve në Partinë Socialiste mbetet ende mister, kur vetëm dy ditë nga zyrtarizimi i kandidatëve në PS duket se kanë rrjedhur shumë ujëra. Mbledhja e Kryesisë së PS-së, e paralajmëruar dje, nuk është mbajtur, ndërsa ende nuk është dhënë një shpjegim për mbledhjen e radhës. Mësohet se Kryesia mund të mblidhet sot, por e pakonfirmuar nga ndonjë njoftim zyrtar.
Në korridoret e PS-së ka një konfuzion në lidhje me përfaqësuesit për në Parlament, teksa shumë të rinj promovohen nga kryetari Edi Rama, ndërsa të tjerë priten të zyrtarizohen në listë. Kështu, duket se Kryesia do të miratojë disa emra surprizë, ndoshta edhe për shumë zyrtarë të lartë të PS-së. Përflitet të hyjnë disa kandidatë, të cilët kanë lidhje më të ngushta me kreun e PS-së, Rama. Gjithsesi, pikëpyetja është e vemja përgjigje që gjen në PS, kur flitet se kush mund të jetë në listën e deputetëve.
Ndryshimet
Ndërkaq, është mësuar se ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, nuk do të jetë më deputet i PS-së, ndonëse është një nga deputetët më të vjetër të saj si dhe kreu historik. Askush nuk ka marrë përsipër të negociojë për Nanon, ndërsa mësohet se vendi i tij do të zihet nga të tjerë. Ka zëra se vetë Edi Rama ka tentuar të lidhej me të nëpërmjet telefonit, por ish-kryetari ka refuzuar kontaktet, duke lënë të kuptohet se mund të angazhohet me ndonjë tjetër parti të majtë.
Një tjetër detaj që është bërë publik, është se deputeti i PS-së, Vangjel Tavo, nuk do të kryesojë më listën e PS-së në Gjirokastër siç pritej, por do të zhvendoset në Tiranë. Ky ndryshim është diktuar nga PBDNJ-ja, e cila ka pasur si kusht largimin e Tavos nga Gjirokastra, për shkak se Tavo njihet si kandidat që ka tërhequr votat e minoritarëve. Në listën kryesore të PS-së duket se do të jenë prezantuesit e programit të PS-së që u bë pak ditë më parë në Pallatin e Kongreseve. Jo vetëm kaq, por prezantuesit përfliten edhe si ministrat e PS-së në rast se fitohen zgjedhjet. Ndërkohë, pritet që shumë të rinj që janë promovuar, të mos kenë shansin të jenë në zonat e sigurta për të hyrë deputetë.
Një tjetër detaj është se shumë nga deputetët aktualë nuk do të jenë më në listë, ndërsa një pjesë e tyre do të duhet të luftojnë fort në fushatë për shkak se janë në zonën e nxehtë dhe jo të sigurisë. Ditën e martë, në mesditë, do të jetë afati limit ligjor, i cili detyron partitë të dorëzojnë listat për deputetë.
Lista e kandidatëve të rinj
Ilir Beqja
Besnik Bare
Shkëlqim Cani
Ervin Bushati
Rudina Seseri
Eglantina Gjermeni
Shega Ligori
Bizena Bijo
Ledi Shamku
Rezear Kola
Silva Bimo
Alma Shazi
Anxhela Xhindolli
Mimi Kodheli
Besnik Baraj
Ditmir Bushati
Dashamir Peza
Xhemal Qefalia
Vasilika Hysi
Eduart Shalsi
Lindita Nikolli
Fidel Ylli
Ylli Manjani
Asllan Dogjani
Ajola Xoxe
Erisa Spiropali