E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, pensionet shtesë për punonjësit e universiteteve



Kriteret për të përfituar pension shtesë

Masa e kontributit për punonjësit me tituj shkencorë

Punonjësit e universiteteve si dhe të çdo institucioni shkencor, do të përfitojnë pension shtesë. Ligji tashmë u miratua nga Kuvendi në seancën e fundit parlamentare. Ligji synon rivlerësimin e rolit dhe të kontributit të profesorëve dhe lehtëson zbatimin e reformave të arsimit. Ky ligj parashikon vënien në zbatim të një skeme të re sigurimi suplementar për punonjësit me tituj shkencorë, profesorë, drejtues kërkimesh, profesor i asociuar dhe mjeshtër kërkimesh, me qëllim që këtyre personave t’u sigurohen përfitime shtesë. Skema e sigurimit suplementar është pjesërisht kontributiv, çka do të thotë se nëpërmjet kontributeve që paguhen nga personat e sipërpërmendur, do të përballohet një pjesë e përfitimeve të ardhshme, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet me financime shtetërore. Kontributet suplementare, që paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror, do të jenë 3.5 për qind e pagës bruto të muajit, për të punësuarit në institucione publike dhe 7 për qind të pagës bruto të muajit, për të punësuarit në institucione jopublike. Institucionet jopublike, punësimi në të cilat vlerësohet si periudhë e ushtrimit të titullit, për efekt të zbatimit të këtij ligji, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret

Kriteret për përfitimin e pensionit suplementar për këtë kategori personash lidhen së pari, me të qenit përfitues i pensionit të pleqërisë nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar dhe së dyti, me plotësimin e kushtit "periudhë e ushtrimit të titullit", që është periudha gjatë së cilës personat kanë gëzuar titullin shkencor profesor, drejtues kërkimesh, profesor i asociuar, mjeshtër kërkimesh, sipas vendimit të Komisionit të Lartë të Arsimit, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe kanë qenë në marrëdhënie pune në universitete, shkolla të larta dhe në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë deri në datën e fillimit të përfitimeve nga ky ligj.

Përfitimi

Masa e pensionit shtesë lidhet me pagën referuese, me të cilën nënkuptohet paga bazë për titullin, përjashtuar shtesat për funksion. Kjo pagë, mbi të cilën, sipas këtij ligji, në të ardhmen do të paguhen edhe kontributet e parashikuara, do të jetë bazë e llogaritjes dhe e rillogaritjes së pensioneve shtesë. Gjithashtu, në përcaktimin e parametrave të formulës së pensionit është pasur parasysh se 50 për qind e personave të titulluar parashikohet të përfitojnë pa pasur periudhë kontributive dhe mbi këtë bazë, tavanet e përcaktuara në skemat suplementare të ushtarakëve janë jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Skema është e ngjashme me atë për pensionet suplementare shtetërore, ku norma e përfitimit për çdo vit në funksion parashikohet 1.3 për qind dhe 1 për qind e pagës referuese. Edhe për këtë skemë, ashtu si në sigurimin suplementar shtetëror, pavarësisht se nuk janë paguar kontribute, njihen si vite shërbimi së paku 5 vjet dhe mbi këtë bazë vendoset një përfitim dysheme prej 6 për qind. Sa më sipër, shuma e pensionit suplementar mujor parashikohet të jetë 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit, për profesorët, dhe 1.1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit, për as. profesorët. Shuma e këtij pensioni suplementar, të llogaritur sipas kritereve të mësipërme, së bashku me përfitimet nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 4-fishi i pensionit bazë të pleqërisë nga skema publike. Në përfundim, masa e pensionit suplementar nuk mund të jetë, në asnjë rast, më e vogël se 6 për qind e pagës referuese dhe për personat, që nuk kanë paguar kontribute, jo më shumë se 50 për qind e pensionit, që përfitohet nga personi, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993. Këto përfitime do të indeksohen dhe do të rriten sa herë dhe në atë masë që indeksohen dhe rriten pagat referuese. Gjithashtu, në këtë projektligj parashikohet që, nëse një person ka të drejtë për më shumë se një përfitim suplementar, mund të zgjedhë përfitimin më të favorshëm. Pensionet suplementare për këtë kategori përfituesish parashikohen të administrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si një institucion shtetëror i specializuar, i cili aktualisht administron edhe pensionet suplementare shtetërore të ushtarakëve e të Policisë së Shtetit. Në këtë projektligj parashikohen edhe disa procedura bazë për dhënien e përfitimeve. Kështu, përfitimet suplementare për tituj shkencorë do të jepen në bazë të kërkesës së të interesuarit, i cili do të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që të vërtetojë periudhën e titullimit, të shërbimit, kontributet e paguara, pagën referuese etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›