E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDK-së Anton Gurakuqi vlerëson vendimin e Kryeministrit Berisha

Partia Demokristiane ka vlerësuar maksimalisht vendimin e Kryeministrit Berisha për për shkarkimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Kryetari i PDK-së, Anton Gurakuqi deklaroi dje se “Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit përballë një situate të tillë tregon qartë se askush nuk mund të abuzojë dhe njollosë emrin dhe imazhin e qeverisë”. Gurakuqi cilësoi se “Njëkohësisht vendimi tregon moralin e lidershipit të kësaj maxhorance sikundër përbën një standard që vendoset për herë të parë në vend”, duke kujtuar se “Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që për sjelljet imorale të një ministri apo zyrtari të lartë të merrej një masë e tillë”. Duke nxjerrë në pah vlerat e PDK-së, si një parti ku vlerat, morali dhe familja janë të shenjta, Gurakuqi deklaroi se partia e tij “gjithmonë ka këmbëngulur se zyrtaret e lartë, ministrat, deputetët apo thjesht ata që mund të përfshihen në qeverisje, duhet të kenë si kriter kryesor integritetin moral, politik dhe njerëzor”. Demokristiani Gurakuqi u shpreh më tej se “PDK ka hedhur idenë dhe vazhdon të këmbëngulë për nevojën e një kodi moral dhe etik për të filtruar emrat që do t’i serviren popullit për tu përfaqësuar në parlament apo qeverisje”, duke vlerësuar se dinjiteti njerëzor është objektiv në programin e kësaj partie. “Ne mbështesim çdo vendim, iniciativë apo qëndrim politik që nxit parimet e shenjta njerëzore, për një politikë të moralshme dhe dinjitoze”, përfundoi kreu i demokristianëve, Anton Gurakuqi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›