Ministria Basha u takua sot me sekretaren Klinton
Gjatë pjesëmarrjes në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ministri i Jashtëm Lulzim Basha pati një takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Sekretarja Amerikane Hillary Clinton vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Strasburg/Kehl, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Në këtë takim, qëllimi kryesor i të cilit ishte përgatitja e dokumenteve që do të adoptohen në Samitin e Strasburg/Kehl-it nga Kryetarët e Shteteve/ Qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, u diskutuan një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e NATO-s, në mënyrë të veçantë operacionet e saj në Afganistan dhe Kosovë, marrëdhëniet e saj me Rusinë, rritja e efiçencës së organizatës, etj. Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, pasi falenderoi vendet anëtare për finalizimin në një kohë rekord të të gjitha procedurave të nevojshme për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u shpreh se, ndërsa Shqipëria përgatitet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës në Samitin e Strasburg/Kehl 2009, pikërisht në 60-vjetorin e Aleancës, ne jemi më shumë se kurrë të vetëdijshëm për vlerat dhe parimet që mbart kjo Aleancë dhe më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë për t’i ruajtur dhe për t’i avancuar ato, si në vendin tone, në rajon dhe kudo.
Në lidhje me angazhimin e NATO-s në Kosovë, Ministri Basha vlerësoi vazhdimin e mëtejshëm të misionit të KFOR në konfigurimin aktual si parësor. Z. Basha mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në Këshill, si nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Ministrat pjesëmarrës se situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia. Z. Basha vlerësoi gjithashtu vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës dhe bërjen e tij tërësisht funksional. Ministri Basha u shpreh se një nga sfidat më të mëdha të Kosovës është integrimi i pakicës serbe në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ky integrim, vijoi Z. Basha, ka si pengesë kryesore financimin dhe mbështetjen e strukturave paralele në Kosovë. Kapërcimi i kësaj pengese do të shtojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosove dhe rajon dhe do t’i shërbejë objektivave afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor.
Për sa i përket angazhimit të NATO-s në Afganistan, Ministri Basha, në emër të qeverisë shqiptare, shprehu mbështetjen e Shqipërisë për objektivat e NATO-s, si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për rritjen e kontributit tonë, duke demonstruar në ketë mënyrë rolin e Shqipërisë si kontribuuese e sigurisë globale. Gjatë Ministerialit, Z. Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Havier Solana, me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Hillari Klinton, Ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Hollandës, Norvegjisë, Çekisë, Kroacisë, Spanjës, Sllovenisë, etj.
Gjatë takimit me Z. Basha, Znj. Klinton vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Strasburg/Kehl, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në të gjitha takimet që z. Basha zhvilloi gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Bruksel, si dhe gjatë Plenares së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ai mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm Scheffer dhe të gjithë homologët e tij i shprehën Z. Basha kënaqësinë që në Samitin e Strasburg/Kehl-it Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe besimin në rolin dhe kontributin e çmuar që këto dy vende do të japin në forcimin e sigurisë në rajon e më gjerë. Me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian, Z. Basha trajtoi dhe një numër çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon
...