E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDS-së pretendon grup të vetin parlamentar pas zgjedhjeve të ardhshme

Urbani Paskal Milo në grupin e Metës, por për zgjedhjet e vitit 2009 do dalë me Edvinin Partia Demokracia Sociale ka bërë me dije dje se vendimin përfundimtar të saj, se me kë parti do të bëjë koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit 2009, do të kushtëzohet nga mbështetjen që do t’i japë respektivisht PS-ja dhe LSI-ja në këto zgjedhje që përkthehet me mandat deputetësh. Kjo është konfirmuar dje nga vetë kryetari i PDS-së Paskal Milo që gjatë prononcimi për mediat deklaroi se kjo parti është në proces negociatash në nivel kryetarësh dhe se shumë shpejt do të vendoset edhe për modalitetet e kësaj marrëveshje. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, pranoi dje se është në negociata me PS-në dhe me LSI-në, duke shtuar se shumë shpejt do të bëjë të ditur emrin e njërës prej këtyre dy forcave me të cilën thotë që do bëjë aleancë në zgjedhjet e ardhshme. "Do të nisemi në radhë të parë nga interesat e përfaqësimit të Demokracisë Sociale të cilat në një koalicion të ardhshëm duhet të prodhojnë një numër të caktuar deputetësh, me cilin koalicion në përbëjmë një forcë të madhe për të ardhur në pushtet", tha Milo. Paskal Milo bëri të ditur se PDS-ja do të dalë me listat e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe synon të marrë një numër të konsiderueshëm deputetësh. Me gjithë pretendimet më të fundit të artikuluara dje nga Paskal Milo, PDS është pozicionuar prej gati dy muajsh shumë pranë lidershipit socialist. Mungesa e një marrëdhënieje të ndërsjellë me LSI-në gjatë muajve të fundit bën të besosh se aleanca më e mundshme është me Partinë Socialiste. Madje, në homazhet te Varrezat e Dëshmorëve, më 29 nëntor, Milo u shfaq përkrah Edi Ramës, një sinjal domethënës ky, që tregon se PDS-ja tashmë ka zgjedhur PS-në për aleate. Edhe vetë ai e pranoi se dalja përkrah Edi Ramës në homazhet e 29 Nëntorit lë të kuptojë se konfigurimi i ri i aleancave brenda së majtës është pranë dhe të pozicionimit të forcës së tij. "Fakti që na patë gjatë festave kombëtare së bashku me drejtues të tjerë të majtë dhe të opozitës shqiptare, është një mesazh që Demokracia Sociale do të vendosë gjatë ditëve të ardhshme me partnerët e saj në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës", tha Milo. Ndërkohë, LSI-PDS nuk kanë më komunikimin politik të mëparshëm, edhe pse Miloja vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar “E majta për Integrim” të Ilir Metës. PDS-ja prej kohës ka bërë të ditur se synimi i saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është të ketë grupin e saj parlamentar dhe për këtë i duhet mbështetja e fuqishme e PS-së ose edhe e LSI-së. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›