Shifrat zyrtare hedhin poshtë pretendimet dhe shtrembërimet e PS-së

Përmbarimi, në 9 muaj ekzekutoi 85 për qind të vendimeve gjyqësore
Për një periudhë 9-mujore, janar – shtator 2008, zyrat përmbarimore në gjithë vendin, ju kanë dhënë zgjidhje 85 për qind të vendimeve gjyqësore. Shifrat zyrtare i ka bërë të ditur dje Ministria e Drejtësisë, e cila ka përgënjeshtruar pretendimet e PS-së.
Duke përmendur detyrimet e qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, për përmbushjen e një tjetër objektivi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mësohet se po punohet për të arritur nivel të njëjtë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me ato të vendeve evropiane.
“Kësaj përpjekjeje madhore nuk i shërbejnë disinformimet, sidomos kur ato kanë si synim të pështjellojnë tymnajën e ngritur dhe për më tepër statistikat të lexohen mbrapsht, me qëllimin e vetëm për të luftuar pa princip mazhorancën qeverisëse”, është shprehur dje zyrtarisht nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Drejtësisë
Ekzekutimi i vendimeve
Sipas njoftimit për shtyp, mësohet se, “Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë e konsiderojnë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore si një nga elementët thelbësorë të shtetit të së drejtës dhe pjesë e pandashme e procesit të rregullt ligjor”.
Duke ju referuar shifrave zyrtare, Ministria e Drejtësisë, bëri ët ditur se, situata e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore nga 29 zyrat përmbarimore për periudhën janar – shtator 2008, rezulton se në masën 85 për qind e çështjeve të regjistruara iu është dhënë zgjidhje ligjore.
Konkretisht, mësohet se nga 15641 çështje që janë regjistruar për ekzekutim, 3875 prej tyre janë ekzekutuar, 1269 çështje janë pushuar, 7523 çështje janë në ekzekutim brenda afateve procedurale, 211 çështje janë të refuzuara, 814 çështje janë të pezulluara me vendim gjykate, 568 çështje janë të transferuara dhe 36 çështje të tjera janë pushuar për shkak të shfuqizimit të Urdhrit Ekzekutiv.
Vendimet e mosekzekutuara
“Drejtësia nuk duhet të jetë e dukshme, por edhe e prekshme nga qytetarët dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore përbën një nga hallat kryesore edhe në kuadrin e përgjithshëm të reformës në drejtësi”, bënë të ditur në njoftimin e saj për shtyp Ministria e Drejtësisë.
Duke shpjeguar më pas se për rreth 1000 çështje të cilat janë jashtë afateve procedurale të vendosura nga Kodi i Procedurës Civile, Shërbimi i Përmbarimit veç mjeteve të tjera ligjore po procedon me vendosje gjobe dhe kallëzime penale për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.
“Ky realitet që të bëhet i prekshëm për shqiptarët po realizohet si me forcimin e kontrollit dhe llogaridhënien e përmbaruesve shtetërorë, ashtu edhe nëpërmjet mekanizmave të tjerë, të sugjeruara nga partnerët ndërkombëtarë, siç është ofrimi i operatorëve privatë të ekzekutimit, si një funksion i deleguar nga shteti te këta të fundit”, shpjegon Ministria e Drejtësisë.
...