Kreu i PS: Ndiej keqardhje për ata që na sulmuan pa asnjë etikë
Pas një heshtjeje të gjatë dhe mospërgjigjeje direkte ndaj akuzave që i kanë ardhur prej LSI-së dhe PS91, kryetari i PS-së i është përgjigjur dje nga takimi i forumit më të lartë të partisë së tij, por duke mos përmendur askënd me emër. Lideri socialist, duke iu referuar miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, theksoi se "dua të shpreh këtu keqardhjen për një pjesë të këtyre vështirësive të krijuara, sipas meje, nga një lexim i gabuar. E madje në disa raste nga mosleximi i Kodit të ri Zgjedhor, duke bërë që shumë paragjykime, apo gjykime qëllimisht të deformuara të krijojnë një paqartësi, ose edhe pakënaqësi në një segment të shoqërisë, të cilit unë i adresoj sot shprehjen e vullnetit të plotë të PS-së, të atyre që kanë marrë pjesë në hartimin e kodit e pa asnjë dyshim të të gjithë deputetëve që e votuan këtë kod, për të mos lejuar cenimin e asnjë vote në çfarëdo drejtimi që ajo votë të shkojë dhe të asnjë subjekti politik në Shqipëri, cilitdo krah që ky subjekt politik, sado i vogël, i përket". Duke folur edhe për fazën e dytë të përgatitjes së procesit zgjedhor, kreu i selisë rozë theksoi se partia e tij nuk do të lejojë të cenohet asnjë votë e shqiptarëve, sido që të jetë vendimi i zgjedhësve. Sipas Ramës, miratimi i Kodit javën e kaluar në Kuvend, "për herë të parë në historinë e këtij vendi, realizohet në një kohë të arsyeshme dhe krijon një hapësirë kohore tërësisht optimale për të plotësuar të gjitha ato elemente që do t‘i bëjnë zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet e shqiptareve e shqiptarëve dhe jo zgjedhje të aktorëve politikë, apo të pjesëmarrësve në procesin e administrimit zgjedhor". Duke iu rikthyer edhe njëherë polemikave me Metën (por që nuk e ka përmendur asnjëherë emrin), Rama tha se "dua të shpreh keqardhjen për mungesën e etikës dhe tolerancës në raport me ne, në raport me pikëpamjet dhe rolin tonë. Dua të nënvizoj se pavarësisht nga kjo dhe paçka se jemi bërë padrejtësisht objektiv i një dyndjeje tërësisht jo etike, tërësisht jo tolerante, me burim një mllef primitiv, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë, të vetëdijshëm se ky është roli ynë".