Shtet pa "gogla"
Dy javë të shkuara, Kryeministri Sali Berisha i preku në sedër socialistët, kur u tha se u mungonin goglat. Berisha e përdori këtë fjalë si sinonim të votave, por socialistët e kapën shpejt edhe nënkuptimin dhe reagimi i tyre u referohej goglave të tjera, që pretendonin se i kishin. Krahasimi duket me vend, sepse në Parlament, ai që nuk ka gogla në kuptimin e votave, nuk ka gogla në çfarëdo kuptimi të kësaj fjale. Por vetë Berishës, që ndihet i plotfuqishëm në sallën e Kuvendit, po i vihen në diskutim "goglat" e pushtetit të tij ekzekutiv. Prej gati dy javësh, një grup fshatarësh po mbajnë peng një investim miliona dollarësh në Gjirin e Kakomesë. Pa u marrë fare me pretendimet e palëve në konflikt, është fakt se për fshatin turistik në fjalë ka një leje ndërtimi të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës dhe një numër vërtetimesh nga të gjitha agjencitë kompetente shtetërore që tregojnë se toka është e lirë. Pra ka një miratim shtetëror për një investim serioz, të parin në llojin e vet në Shqipëri, dhe një shtet që realisht nuk ka fuqi t‘i krijojë investitorit kushtet për të cilat ka dalë garant. Përpara së gjithash kjo është një çështje që ka të bëjë me fuqinë e shtetit, me aftësinë që ai ka për të kontrolluar të gjithë territorin. Në një farë mënyre zgjidhja e situatës në Kakome është edhe çështje goglash dhe deri dje shteti ynë nuk ka dhënë prova se i ka ato.