E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy javë pas tragjedisë, me fatlumët fatkëqij të Gjirokastrës

Skenat e pazakonta të shembjes së pallatit pesëkatësh përfund lagjes së vjetër Hazmurat, me siguri që do të mbeten për shumë kohë të pashlyera në kujtesën e gjirokastritëve. Kanë kaluar plot dy javë nga tragjedia e pallatit të shembur përdhe, si në një lojë fëmijësh me kuba, kanë kaluar ditët dhe netët e vrullshme të emergjencës, me zjarrfikës e zjarrfikëse shqiptarë e greke, me policë, presidentë, kryeministra, kryetarë partish, gazetarë, blica e kamera. Pas ka mbetur një ftohtësi që pas ardhjes së beftë të dimrit me shi e furtunë, të plevitos në shpirt.

Në kërkim të familjeve të mbijetuara

Afrohemi pranë e më pranë gërmadhave të ish-pallatit të rënë me idenë se përreth tij ka më shumë informacion për vendndodhjen e familjeve të mbijetuara. Mbi grumbullin e tullave, orendive dhe hekurave të soletave, syri kap dëshmitë e jetës së dikurshme, copa qelqesh, pjata, copa dollapësh, këmbë karrigesh, libra shkolle, fotografi, veshje për të gjitha moshat, pjesë qarqesh të integruar të mbetur nga orenditë elektronike të atyre që jetonin aty deri më 9 nëntor 2008.

Largohemi nga kjo tablo që ngjan shumë me pamjet gërmadhat e kullave binjake të Nju Jorkut të ofruara nga mediat ndërkombëtare dhe amerikane pas 11 shtatorit. Buja dhe brutaliteti i ngjarjes tashmë është fashitur, por, gjithsesi, kanë mbetur pas 14 familje pa shtëpi e katandi. Mandej, dy prej tyre edhe pa të afërmit që mbeten mes gërmadhave. Ku janë të mbijetuarit sot, dy javë pas tragjedisë? Kërkojmë të gjejmë familjet e mbijetuara, të kontaktojmë me njerëzit që e përjetuan më pranë tragjedinë dhe e pësuan me keq prej saj. Këmbët na shpien vetiu nga hoteli i vogël i Lilo Majkos. Në kafen e vogël të "kapso" hotelit, që ndodhet rreth 150 metra larg pallatit të shembur dhe ku qëndruan natën e parë të mbijetuarit e tragjedisë, gjejmë vetëm pronarin me të shoqen. "Këtu vazhdojnë të flenë vetëm pjesëtarët e dy familjeve, Shpëtim Lloçkos dhe Vaso Jorgjit. Të tjerët janë larguar që pas shembjes së plotë të rrënojave. Janë strehuar si të mundin, disa kanë gjetur shtëpi me qira, disa te të afërmit, ashtu…, sipas mundësive. Bashkia u paguan shpenzimet e qirasë, elektrikut dhe ujit", na thotë Lilo Majkua, njeriu që çeli i pari derën e hotelit dhe shtëpisë së tij për të mbijetuarit. Ende pa u shembur plotësisht pallati, ish-banorët e tij të mbetur nën qiellin e hapur, nuk largoheshin prej gërmadhave. "Makar të gjej e të shpëtoj edhe një fotografi të vetme nga arkivi i familjes", qante ato ditë një nga viktimat, mësuesi i matematikës dhe gazetari i njohur sportiv, Sokrat Papadhopulli. Të mbijetuarit, ato ditë pas gjëmës, silleshin përreth gërmadhave dhe herë pas here ktheheshin te kafja e Lilos për të mbledhur disi veten. Ndonëse për momentin në kafe dhe hotel nuk gjendej askush prej pjesëtarëve të familjeve Lloçko e Jorgji, përsëri këtu ngjarja tragjike nuk është aspak e largët. "Natën vijnë për të fjetur këtu, ditën lëvizin, shkojnë te të afërmit, venë nëpër zyra për të marrë vesh ç‘bëhet me miratimin e fondeve për dëmshpërblimin e humbjeve", thotë Lilo. Pas kësaj fjalie, s‘bëhej më fjalë për të shpresuar që të vinte ndonjë prej të strehuarve. Për të na ndihmuar, bashkëshortja e Lilos na drejton te një banesë nja 100 metra larg, ku, sipas saj, ndodhej e strehuar përkohësisht familja e Ibrahim Brahos. U nisëm për në shtëpinë ku ishte vendosur kjo familje. Kryefamiljari i saj, Ibrahim Braho ishte një person i njohur në Gjirokastër, pasi kishte qenë futbollist i Luftëtarit në ditët e shkëlqimit të skuadrës gjirokastrite.

Me çelësat e asgjësë në duar

Bimen, sikurse thirret ish-futbollisti nga tifozët, nuk e gjetëm aty. Por bashkëshortja e tij, Ramizeja, na ftoi brenda. Hyjmë në një dhomë jashtëzakonisht të ngushtë. Aty ku nuk ka vend veçse për dy kolltukë të mbuluar me çulle leshi, me një kondrabufe dhe një tavolinë e vogël, ulemi si mundim. Kur ende s‘ka filluar biseda vjen Bime, në njërën dorë kishte një grumbull çelësash, ndërsa në tjetrën shtrëngonte dorën e nipit të tij 7-vjeçar, Juxhinit. Nuk i mban dot lotët. Lodhja dhe stresi lexohen lehtë në fytyrë. Ish-futbollisti gjirokastrit, Ibrahim Braho, talenti që paralajmëroi ardhjen e fenomenit Sefedin Braho në futbollin gjirokastrit të viteve ‘80, nuk përfaqëson një nga 14 familjet e mbijetuara të tragjedisë së shembjes së pallatit në lagjen "11 Janari" në Gjirokastër, por dy. Në të njëjtin pallat jetonte edhe i biri i tij, Maksi.

Bimja do të flasë, por lotët nuk e lejojnë. "Gjithë jeta ime ishte aty. Plaçkat që mezi i blenim vit pas viti me Ramizenë, uniformat dhe këpucët e sportit që i ruaja si sytë e ballit. Të gjitha mbetën aty…". Ramizeja duket më me kurajë. Ajo u largua e fundit nga pallati. "Më shpëtoi Zoti jetën, nuk kam merak për plaçkat. Plaçkat, plaçka janë, jeta është jetë", thotë Ramizeja, banorja e fundit që shpëtoi gjallë. Ramizeja së bashku me një nga fëmijët binjakë të Maksit, ulërinte dhe kërkonte ndihmë e mbyllur brenda katit të parë të godinës. "Pallati shembej para syve të mi e të Esit, vajzës 4-vjeçare të Maksit. Mora të dal nga dera, nuk e hapja dot. Dola pastaj në dritare. Bërtita për ndihmë. Nuk e mora vesh si erdhën aq shpejt zjarrfikësit. Më thanë të dilja nga dritarja, por ajo ishte me hekura. Pastaj zjarrfikësit erdhën nga dera. Qëlluan derën me shqelma e me gurë. U hap! Shpëtuam, thashë. Nuk kisha hallin tim, kisha merakun e mbesës. Zoti më deshi mua dhe atë. Unë dola e fundit. Pas mej aty mbetën tre gjitonet e mia Valbona me vajzën e saj, si drita dhe plaka e urtë e Thanas Zokos. Gjëmë e madhe, ç‘të të them. As gjumë as lumë bëjmë natën. Llahtari, ç‘të të mollois. Kur filloi dridhja në fillim, më venin këmbët andej-këndej. Tensioni, thash me vete. Pastaj nisën të binin copat e suvasë dhe nisi të luante abazhuri si orë andej-këndej, tërmet, thashë. Mora të dilja, ku të shkoja, mbeta në kuvli. Nisa të qaja", tregon orët e tmerrit Ramizeja. Bimja qetësohet disi dhe vërtit grumbullin e çelësave në duar. "Janë të shtëpisë. Jam matur disa herë t‘i flak. S‘më bën zemra. Më duket sikur dera e shtëpisë është aty dhe unë bëj gati çelësat. Ca miq më morën një ditë. Pi raki, më thanë, të shkon stresi dhe dhimbja. Po është e pamundur të harrohet. Po të ishte natë? Do kishim mbaruar të dy familjet, timja dhe e Maksit. U bëmë humbameno fare. Parmbrëmë harrova dhe u nisa për nga pallati. Shkova deri afër, pastaj u kujtova. Në dorë shtrëngoja çelësat, po me ta nuk mund të hap asgjë", flet mes dënesave ish-futbollisti i famshëm gjirokastrit, tashmë pa shtëpi, pa katandi, vetëm me një tufë çelësa për të hapur asgjënë.

Vështirësitë

Në këtë periudhë, shtëpitë me qira në Gjirokastër janë zënë nga studentët

Shumica e të mbijetuarve vuajnë për strehim

Vështirë të gjesh ku janë strehuar familjet e tjera të mbijetuara nga tragjedia. Vetëm te çifti Bime-Ramize mund të marrësh informacionin për fqinjët.

"Familja jonë dhe e djalit tim, Maksit, kemi gjetur shtëpi me qira. Nuk është e lehtë tani të gjesh shtëpi me qira në Gjirokastër, se i kanë zënë studentët. S‘gjen gjëkundi. Të tjerët kërkojnë akoma. Më i godituri i gjitonëve është Jetnori, ai humbi gruan, Valbona, 36 vjeçe dhe dritën e syve, vajzën e tij, Anxhela, vetëm 13 vjeçe. Jetnori me të birin, Gestin, 6 vjeç, është strehuar te babai i tij në lagjen "Punëtore". Djali kërkon akoma nënën dhe motrën. Ǒt‘i thonë, e gënjejnë. Ka tërmet, i thonë dhe janë në shtëpi nuk vijnë dot. Tmerr! Gesti është shok me binjakun tjetër të Maksit. Janë në klasë të parë. Tmerr, e ka nënë, ia kërkon zemra", thotë Ramizeja mes lotëve.

Burrë e grua plotësojnë njeri-tjetrin. Preket e ngashërehet njeri, vazhdon tjetri. Shpëtim Lloçko e Vaso Jorgji, na tregon më tej Ibrahimi, janë strehuar në hotel te Majkot dhe kërkojnë shtëpi me qira. Sokrati me të shoqen, Zhulin, janë strehuar përkohësisht në hotel "Bleta", edhe ata nuk kanë gjetur shtëpi me qira, ndërsa Axhem Mene dhe Birbil Tena janë strehuar te të afërmit në Manalat dhe Palorto, na informon për familjet e tjera ai. Mësojmë se familjet e Vullnet Sinanit dhe Idriz Haskos kanë mundur të gjejnë shtëpi me qira, pagesën e së cilës ka premtuar se do ta paguar bashkia për të gjitha familjet. Në familjet që humbën apartamentet janë edhe ajo e Krenar Kilicës, që jeton në Itali dhe Nikolin Makut, që e ka dhënë me qira te një familje nga Tepelena, e cila ende nuk kishte hyrë për të jetuar aty.

"Më i humburi materialisht në këtë histori është Shkëlqim Hunda. Jetonte me qira në pallatin e shembur me gruan dhe tre fëmijë. Tani jeton te të afërmit në Libohovë dhe çdo ditë i sjell fëmijët në shkollë nga Libohova me autobusin e linjës. Çimi i shkretë kishte në një sirtar të shtëpisë lekët e grumbulluara për të blerë shtëpinë e re. I humbi në gërmadha pa nam e nishan. Ngeli me gisht në gojë. Unë për vete nuk humba lekë se nuk kisha atë ditë. Po të ishte ca javë më parë, edhe mund t‘i humbja. Në botë se mund të gënjej e të them që humba lekë. Më vret Zoti që më shpëtoi jetën e shtatë shpirtrave të shtëpisë time. Po Çimi shkretë i humbi të gjitha dhe nuk e beson njeri", tregon Bime.

Në "të humburit" e tjerë nga tragjedia, Bime rendit edhe një dentist, të quajtur Jani. "Dentisti Jani e ka klinikën diku afër pallatit "të shuar me mavri". Ai kishte një javë që kishte blerë një veturë "Ford", tipi i ri, që e kishte parkuar nën pallat. Makina e re ka dalë tani në dritë si një grusht hekurishtesh. Kush do t‘ia paguaj atij humbjen!?", na tha pronari i hotelit të të mbijetuarve, Lilo Majko.

Portret

Ku shkoi eleganca e Sokrat Papadhopullit?

Mësuesi dhe gazetari Sokrat Papadhopulli sot edhe mund të mos ishte. Fati e donte që atë ditë fatale të ngrihej dhe të dilte nga shtëpia me herët se ditët e tjera. Përcolli bashkëshorten në stacionin e autobusit për në Selanik, tek e bija dhe nuk u kthye në shtëpinë e tij, deri në orën 11:15, kur krejt apartamenti i tij në katin e pestë të pallatit u shemb plotësisht në dhe, qysh në lëkundjen e parë. Në Gjirokastër, ai është një person publik, i njohur për elokuencë në sjellje e biseda, për veshjen dhe pamjen e tij elegante. Dy javë pas ngjarjes tragjike, ndonëse në veshjen dhe sjelljen e tij nuk ka ndryshuar asgjë, në fytyrën dhe brendinë e tij është prezent drama dhe stresi i humbjes së gjithçkaje nga apartamenti, mobiliet, arkivat, koleksionet…. "Ǒtë të them i dashur koleg. Ti e di mirë që unë kisha përfunduar dhe arkivuar në kompjuter dy libra për historinë e sportit gjirokastrit. Nuk më vjen keq për punën e shpenzuar. Më vjen keq për shënimet dhe kujtimet e grumbulluara andej-këtej për 10 vjet. Nuk është humbje për mua por për memorien e qytetit", thotë Sokrati. Ndërsa bashkëshortja e tij, Zhuli, duket më e tronditur. "Më kupto drejt, më duket sikur kam humbur gjithçka. Më mungon gjithçka. Sokrati dhe unë jemi të sëmurë. Jemi strehuar përkohësisht te hotel "Bleta". Nuk po gjejmë shtëpi me qira. Nuk duam të bezdisim njeri me këtë hallin tonë", thotë Zhuli, që nuk harron të falënderojë kolegët gazetarë, të cilët kontribuuan në mënyrë modeste për Sokratin.

Ndërkaq, bashkëshortët shikojnë njeri-tjetrin. Ndihen të stresuar dhe tërësisht të humbur. U gëzohen disa fotove të rralla të familjes, të gjetura rastësisht midis gërmadhave, ndërsa mua më bën përshtypje, ku humbi, ku shkoi mondaniteti dhe eleganca e Sokratit tonë, gazetarit aq të përkushtuar, fituesi i çmimit kombëtar "Anton Mazreku" për gazetarinë sportive.

Edhe në qoftë se shteti, bashkia dhe qeveria do të mbajnë fjalën dhe premtimet për kompensimin e humbjeve materiale të këtyre njerëzve, ajo ndihmë kurrë nuk mund të rikuperojë atë humbje që ndjejnë në shpirt banorët e pallatit të shembur sa hap e mbyll sytë. Në këto ditë të vështira ata gjetën mbështetje te miqtë, të njohurit e të afërmit e tyre. Po nesër? Ende nuk është miratuar nga qeveria fondi për kompensimin e humbjeve të tyre në këtë katastrofë. Por edhe kur ai të miratohet, kush do t‘ia kompensojë Jetnorit dhe Gestit gruan, vajzën, nënën dhe motrën, kush do t‘i kompensojë xha Thanasit mungesën e bashkëshortes, që mbeti poshtë gërmadhave të 9 nëntorit në Gjirokastër? Kush do t‘i kompensojë gazetarit të vjetër humbjen e arkivit të shkrimeve, fotografive, dokumenteve për historikun e sportit gjirokastrit?

Duke u larguar prej tyre të mundon pyetja: A mund të parandalohej kjo tragjedi? Natyrisht që po! Për shumë arsye, por më shumë për një fjalë që dëgjova gjatë bisedës në familjen e nderuar Braho nga nipi i shtëpisë, Juxhini 7-vjeçar. "Xhaxhi, unë dhe Gesti e kishim parë rrugën para pallatit të çarë, por nuk e dinim që do rrëzohej pallati. Ta dinim ne që do të ndodhte kështu, do t‘i thoshim gjyshit dhe babit", tha Juxhini, mes sinqeritetit të tij fëmijëror.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›