Rama: Reforma në drejtësi, kur të vijmë ne në pushtet
Lideri i socialistëve shqiptarë, i partisë kryesore të opozitës, Edi Rama, ka lëshuar alarmin se një nga dy reformat kyçe që i është vënë detyrë Shqipërisë nga komuniteti ndërkombëtar, pikërisht ajo në drejtësi, nuk mund të kryhet tani, por vetëm kur PS-ja të vijë në pushtet. Duke folur përpara anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste, që u mblodh dje në qytetin e Elbasanit, Edi Rama e ka thënë shkoqur se nuk mund të ketë reformë në drejtësi me Sali Berishën Kryeministër, pasi ai ka një konflikt të hapur me sistemin gjyqësor. Duke bërë të ditur qëndrimin e partisë më të madhe të opozitës, kreu i PS-së theksoi se është arritur një përfundim i pashpresë, ndaj deklaroi se "sot, ne nuk mund të shohim dritë në fund të tunelit të këtij procesi, kur tuneli është i mbushur me hijet e të vrarëve në Gërdec, me hijet e korrupsioneve skandaloze kudo, e posaçërisht në rrugën Durrës-Kukës, me hijen e sekserit serb të Sali Berishës. Pas këtyre hijeve qëndron një strukturë e tërë interesash që kanë kapur shtetin, që e kanë vënë shtetin në dispozicion të tyre dhe që e kanë bërë të pamundur arritjen në fund të tunelit, duke pasur Sali Berishën Kryeministër, reforma në drejtësi është një prioritet i yni. Për të, ne kemi qenë, jemi e do të jemi të vendosur që të bëjmë atë që duhet, që e kërkojnë shqiptaret e shqiptarët nga njëra anë, e që e kërkon BE-ja dhe partneri ynë i madh SHBA-ja nga ana tjetër, por këtë, me sa duket, do të duhet ta bëjmë atëherë kur ta drejtojmë vendin, pasi të kemi larguar Sali Berishën. Me Sali Berishën Kryeministër dhe me fijet që e kanë lidhur të tërin këtë Kryeministër, nuk mund dot të bëjmë reformë në drejtësi". Ky ka qenë paragrafi kryesor i fjalimit që Rama ka mbajtur para legjislativit socialist, ku në fakt është folur për temat kryesore të zhvillimit të vendit. Por kthesa e kreut socialist për qëndrimin mbi reformën në drejtësi, u jep një rrjedhë të rëndësishme zhvillimeve politike, pasi ajo nuk mund të miratohet pa 84 vota, pra pa përkrahjen e deputetëve socialistë. Këtë qëndrim më të ri të selisë rozë, kreu i PS-së e ka argumentuar pikërisht me mosdëshirën e mazhorancës dhe konkretisht të Kryeministrit Berisha për t‘i dhënë pavarësinë sistemit të drejtësisë. Në fjalën e tij në Asamble, Rama tha shkoqur se "Sali Berisha është i interesuar pikërisht kundër pavarësisë, kundër efektshmërisë së një sistemi gjyqësor, me të cilin Kryeministri i Shqipërisë, klani i tij dhe qeveria e tij kanë një konflikt të hapur interesi". Sipas kreut socialist, "mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor nuk është një problem i gjyqtarëve, nuk është një problem i prokurorëve, nuk është një problem i njerëzve në sistemin e drejtësisë, ky është problemi që Shqipëria dhe shqiptarët kanë me Sali Berishën. Ky është problemi që Shqipëria dhe shqiptarët kanë me klanin e Sali Berishës. Ky është problemi që të gjithë ne, pavarësisht se jemi socialistë, apo demokratë, jemi jashtë rrethit të interesave të ngushta të Sali Berishës, kemi me Kryeministrin". Tani pritet qëndrimi i mazhorancës dhe ka shumë mundësi që ky qëndrim i ri i opozitës të hapë një betejë tjetër mes PD-së dhe PS-së, e cila do të mbyllet vetëm në kutitë e votimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.