Kreu i PS-së: Do anulohen gjobat ndaj mediave
Kritikat e shumta të Partisë Socialiste rreth masave abuzive të qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha po shoqërohen së fundmi me disa premtime konkrete. Kështu, dje, kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka deklaruar publikisht se do të anulojë të gjitha gjobat ndaj mediave, të cilat janë ekzekutuara në kohën e shumicës aktuale, ku natyrisht spikat gjoba ndaj kanalit “Top Channel”. “Nuk ka transparencë as për marrëdhëniet që ka qeveria me mediat, ndërkohë që të gjithë botuesit, të cilët nuk janë pjesë e oborrit të pushtetit, janë përditë nën një agresion të përditshëm mafioz. Gjobat ndaj medias janë vetëm pjesa e dukshme e një ajsbergu që shkon shumë thellë, te përndjekja hap pas hapi e këmba-këmbës e atyre që financojnë media kritike ndaj qeverisë. Të gjitha gjobat ndaj medias do t’i anulojmë ditën e parë, ashtu siç do të anulojmë çdo proces tjetërsimi të pasurisë publike në mënyrë korruptive”, tha Rama. Një premtim ky që pason atë për asetet e ushtrisë, të cilat po privatizohen. Në një farë mënyre, transparenca si kauzë e opozitës po priret të jetë gjithëpërfshirëse, pa mohuar këtu taktikën politike që lidhet me fushatën elektorale. Rama ka shkuar më tej, duke theksuar se anulimi i gjobave do të shoqërohet me zhdëmtim nga shteti, një premtim ky që i referohet në fakt rotacionit të supozuar politik të pushtetit.
#