Kreu i Parlamentit slloven: Do punojmë që vizat për Shqipërinë të hiqen brenda vitit

Lubljanë, 14 shkurt, NOA- Sllovenia do të
lobojë në strukturat e Bashkimit Europian që vizat për Shqipërinë dhe
Bosnje-Hercegovinën të hiqen gjatë këtij viti.
Kjo garanci i është dhënë zëvendëskryeministrit
dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së
Sllovenisë, Pavel Gantar.
Gantar shprehu mbështetjen e Sllovenisë për
integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar
bindjen e tij se zgjerimi i BE duhet të vazhdojë drejt Ballkanit Perëndimor dhe
pa vonesa. Në këtë kuadër, Dr. Gantar tha se Sllovenia do të punojë fort që
liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të ndodhë këtë vit
dhe se ajo do të jetë e gatshme të ndihmojë me ekspertizën e saj gjatë proçesit
të integrimit evropian, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtëme për
takimin mes Metës dhe Gantar.
Në fjalën e tij në takim, Meta, pasi shprehu
mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë në Parlament, i shprehu Dr. Gantar
besimin se ky do të jetë një vit i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve
Shqiptaro-Sllovene. Ai theksoi se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë do të
shërbejë shumë në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes,
veçanërisht atij ekonomik.
Gjithashtu, dy politikanët diskutuan mbi
mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në
mënyrë që ato të arrijnë të njëjtin nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve
politike mes dy vendeve.
Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, kreu i
diplomacisë shqiptare, Meta shtoi se së shpejti të dy vendet do të mbledhin
Komisionin e Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike, i cili do ti shërbejë
bashkërendimit të punës për përmirësimin konkret të bilancit tregtar mes dy
vendeve.
Në vijim të vizitës së tij në Asamblenë
Kombëtare, Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta
edhe me anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë dhe të
Komisionit për Politikën e Jashtme, të kryesuar nga Gvido Kres, si dhe me zëvendëspresidentin
e Partisë Social Demokrate të Sllovenisë, Miran Potrç.
xh/NOA